Organizata Demokraci Plus (D+) ka kërkuar anulimin e një tenderi të Komunës së Prizrenit, përmes të cilit synohet angazhimi i 14 konsulentëve për një periudhë trevjeçare, me vlerë të përgjithshme prej 327,600 euro.
Sipas D+, konsulentët planifikohet të angazhohen përmes Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta, apo kontratave mbi vepër, ndonëse detyrat e parapara nuk përbëjnë shërbime të veçanta, por punë të rregullta administrative që duhet të mbulohen përmes konkurseve të rregullta të punësimit.
D+ thekson se dosja e tenderit me numër -2-1-1 parasheh angazhimin e konsulentëve për shqyrtimin e aplikimeve për legalizim, verifikimin e dokumentacionit, përgatitjen e raporteve dhe kryerjen e detyrave të përditshme administrative. Sipas organizatës, këto janë funksione që zakonisht kryhen nga zyrtarët komunalë dhe nuk kërkojnë ekspertizë të jashtme.
Po ashtu, kohëzgjatja e kontratave prej 36 muajsh, sipas D+, dëshmon se bëhet fjalë për nevoja të përhershme të institucionit dhe jo për angazhime të përkohshme. Demokraci Plus rikujton se neni 56 i Rregullores për Prokurimin Publik lejon përdorimin e Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta vetëm kur institucioni ka nevojë për ekspertizë që nuk mund të sigurohet nga stafi i brendshëm.
Për këtë arsye, D+ i ka bërë thirrje Komunës së Prizrenit ta anulojë tenderin dhe, nëse këto pozita janë të nevojshme në mënyrë të vazhdueshme, t’i plotësojë ato përmes procedurave të rregullta të punësimit. Organizata gjithashtu u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që ta shqyrtojnë këtë procedurë dhe të sigurojnë zbatimin e legjislacionit për prokurimin publik.
