Vendet europiane kanë raportuar më shumë se 10 mijë vdekje më shumë gjatë valës rekorde të të nxehtit që përfshiu perëndimin e kontinentit në fundqershor, kanë treguar të dhënat zyrtare, raporton Reuters .
Shumica dërrmuese – më shumë se 9,000 sosh – ishin vdekje të njerëzve midis moshës 65 vjeç e lart, sipas të dhënave të publikuara nga EuroMOMO, rrjet i mbështetur nga Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Nxehtësia ekstreme mund të vrasë duke shkaktuar goditje nga nxehtësia, ose duke përkeqësuar sëmundjet kardiovaskulare dhe të frymëmarrjes. Të moshuarit janë ndër më të prekurit. “Të kesh këtë lloj teprice në këtë kohë të vitit është e pazakontë. Është vërtet e lartë”, ka theksuar për Reutersin Lasse Vestergaard, kryemjek në Institutin Danez Statens, i cili organizon EuroMOMO-n.
“Është e vështirë të shpjegohet kjo vdekshmëri e lartë e tepërt me diçka tjetër pos nëpërmjet nxehtësisë ekstreme”, ka shtuar Vestergaard. Shkencëtarët kanë thënë se vala e të nxehtit në fundqershor do të kishte qenë “pothuajse e pamundur” pa ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu, të cilat po i bëjnë valët e të nxehtit më të shpeshta dhe intensive.
Të dhënat, të mbledhura nga statistikat kombëtare të vdekshmërisë në 27 vende europiane, përfshinin vdekje të tepërta nga të gjitha shkaqet, jo vetëm ato që lidhen me të nxehtin e javës së 22-28 qershorit, kur vala e të nxehtit arriti kulmin në Francë, Spanjë, Britani dhe vende të tjera.
Por shkencëtarët kanë treguar se nuk kish faktorë të tjerë të njohur kryesorë, siç janë shpërthimet e COVID-19, që do të kishin kontribuar në rritjen e 10.650 vdekjeve të tepërta në të njëjtën javë. Vdekshmëria e kombinuar e të njëjtave vende europiane gjatë tetë javëve të mëparshme ishte mesatarisht rreth 500 vdekje në javë nën nivelet tipike.
Të dhënat e EuroMOMO-s mund të rishikohen në javët e ardhshme, ndërsa mblidhen më shumë të dhëna. Vala ekstreme e të nxehtit në fundqershor ndërpreu furnizimin me energji elektrike, mbylli shkollat dhe theu rekordet e temperaturave në Francë, Spanjë dhe Mbretërinë e Bashkuar.
EuroMOMO nuk publikon vdekjet e tepërta për secilin vend individualisht, por vuri në dukje se Franca dhe Belgjika ishin të vetmet dy vende në Europë që regjistruan vdekshmëri “shumë të lartë të tepërt” në javën e fundit të qershorit.
Vdekshmëria e tepërt e Belgjikës ishte më e larta gjatë çdo vale të nxehti në të dhënat që datojnë që nga viti 2000, sipas institutit të shëndetit publik belg, Sciensano. Një studim i veçantë shkencor, i botuar të hënën (), vlerësoi se gjatë valëve të të nxehtit të majit dhe qershorit, 2.700 njerëz vdiqën nga shkaqe të lidhura me nxehtësinë vetëm në Angli dhe Uells.
Nga këto vdekje, 42% u shkaktuan nga nxehtësia shtesë që ngrohja globale kontribuoi në valët e të nxehtit, sipas gjetjeve nga Kolegjit Perandorak të Londrës, Zyrës Meteorologjike të Britanisë së Madhe dhe Shkollës Londineze të Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com
