27 të vdekur nga zjarri në një lokal në Bangkok

0%

Të paktën 27 persona kanë humbur jetën dhe mbi 60 të tjerë janë lënduar, pasi një zjarr i madh përfshiu një lokal në lagjen Chatuchak të Bangkokut gjatë orëve të para të mëngjesit. Sipas autoriteteve tajlandeze, zjarrfikësit mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe arritën ta vinin zjarrin nën kontroll brenda rreth 30 minutash. Tetë nga të lënduarit ndodhen në gjendje kritike.

Dëshmitarët thanë se flakët nisën pranë skenës ku po performonin muzikantët dhe u përhapën me shpejtësi në të gjithë ambientin. Kryeministri i Tajlandës deklaroi se, bazuar në dëshminë e një muzikanti, zjarri dyshohet të ketë nisur pranë panelit elektrik, por theksoi se shkaku zyrtar mbetet ende nën hetim.

Siç raportojnë mediat e huaja, autoritetet bëjnë të ditur se shumica e viktimave dyshohet se kanë humbur jetën nga asfiksia, si pasojë e thithjes së tymit. Shumë prej tyre u gjetën në pjesën e pasme të lokalit, përfshirë ambientet e tualeteve, ku ishin strehuar në përpjekje për t’u shpëtuar flakëve.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Guvernatori i Bangkokut tha se zjarri u përhap me shpejtësi për shkak të materialeve të ndezshme në tavan, ndërsa po hetohet edhe mundësia që tavolinat ose objekte të tjera të kenë penguar evakuimin e klientëve. Lokali “Rong Beer Na Lat Phrao” është izoluar nga policia, ndërsa hetimet për shkaqet dhe përgjegjësitë e mundshme janë në vazhdim.

Kjo është një nga tragjeditë më të rënda të viteve të fundit në Tajlandë. Në vitin 2022, një zjarr në një lokal në jug të Bangkokut shkaktoi vdekjen e 22 personave, ndërsa në vitin 2009 një zjarr në një klub nate në kryeqytet la të vdekur 66 persona.

Burimi: Bota Sot