Shpërndaje në: Forca Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF), misioni shumëkombësh paqeruajtës me mandat ndërkombëtar për stabilizimin e Gazës, ka mirëpritur sot kontingjentin e dytë të ushtarakëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët do të shërbejnë në këtë mision.
Në një postim të publikuar në rrjetin social X, Bordi i Paqes u ka uruar mirëseardhje pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Siç bëhet e ditur në njoftim, pjesëtarët e FSK-së do të mbështesin përpjekjet për sigurinë në Gaza, me angazhime në logjistikë dhe çështje civile. “Mirëpresim anëtarët më të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ekip.
Ata do të mbështesin përpjekjet për sigurinë në Gaza në fusha si logjistika dhe çështjet civile”, thuhet në një njoftim të Bordit të Paqes përmes rrjetit social X.
Më 20 prill, ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës Albulena Haxhiu ka autorizuar dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në operacion ndërkombëtar paqeruajtës, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza. Gjithashtu edhe Kuvendi i Kosovës votoi pro dërgimit të FSK-së në Gaza.
