Në mesin e qytetarëve që kanë mbushur Sheshin “Skënderbej”, një tjetër pensionist ka dëshmuar qëndresën e tij të jashtëzakonshme, duke deklaruar se ka plot 43 ditë që merr pjesë rregullisht në protestë.
Për mikrofonin e mediave, i moshuari ka shpërthyer në akuza të forta ndaj të gjithë kastës së vjetër politike në vend, duke përmendur me emra Edi Ramën, Sali Berishën dhe Ilir Metën për hendekun e madh ekonomik mes tyre dhe popullit.
Ai bëri thirrje për sekuestrimin e pasurive të politikanëve si e vetmja rrugë për t’i detyruar ata të lëshojnë karriget, ndërsa vlerësoi rolin e rinisë në këtë revoltë. “Kam 43 ditë në protestë radhazi. Neve nuk na del 130 mijë lekë pension, ndërsa Edi Ramës, Sali Berishës e Ilir Metës nuk u mungon gjë. Duhet t’u marrim pasuritë që të japin dorëheqje!
Rinia i ka çarmatosur të gjithë, të gjithë kastën e vjetër politike. Tani vetëm presim,” deklaroi i moshuari. Në mbyllje të fjalës së tij, pensionisti shprehu vendosmërinë e plotë të të gjithë protestuesve për të mos u zmbrapsur nga sheshi, pavarësisht kohës që do të duhet deri në përmbushjen e qëllimit të tyre.
“Ne do rrimë këtu, një muaj, dy muaj, deri sa të ikë Edi Rama,” përfundoi ai me vendosmëri.
