Ditë e shtunë, ditë tregu në qytetin e Ferizajt, 12 shtatori i vitit 1987 edhe sot përmendet nga gjeneratat vjetra dhe të mesme. Rreth 4 mijë shikues në palestër, një numër i madh kishin mbetur jashtë saj, nuk kishte vend për të gjithë. As për gjilpërë!
Borci i Ferizajt, siç quhej atëkohë, sot Kastrioti, e mposhti prej ekipeve më të forta në ish Jugosllavi, Pelisterin e Manastirit të hendbollistit Manaskov, me rezultat (). Palestra dridhej nga atmosfera, daulle e këngë besa – besa, Besim Qerimi me 11 gola e Hasan Bajrami me 9, dy trima në fushë, i dhanë leksion Pelisterit.
Borci – Pelisteri Pallati i sporteve “Rinia” (sot “Bill Cilinton”), Shikues: Afro 4.000. Gjyqtarë: Miodrag Maksimoviq e Rajko Zriliq (Beogradi). Shtatëshet: Bo. 4 (3) – Pe. (3 (3). Përjashtime: Bo. 20 minuta – Pelisteri 16 minuta.
Borci: Rudari, Hasan Bajrami 9, Basri Tupella 3, Koprivica 1, Besim Qerimi 11, Cërnogorac, Sefedin Reçica, Bovan 3, Bujar Qerimi 3, Afrim Rexhepi, Aziz Makiqi 5 dhe Misret Maliqi. Pelisteri: Kimevski, Vukas 5, Jusufovski 4, Çurllevski 1, Mihajlloviq 1, Marinkoviq 2, Boseovski 2, Zeçeviq 3, Nioliq, Manaskov 12, Shndovski dhe Aranasovski.
“Borci i Ferizajt, krenaria e hendbollit të Kosovës, po vazhdon me hapa të sigurtë ngritje në tabelën e Ligës më të fortë në botë. Parmbrëmë u mund Pelisteri i Manastirit, njëri ndër ekipet më të forta e më cilësore në elitë, i cili na përfaqëson në garat për Kupën e IHF-it.
Në skenë dolën dy trimat e ndeshjes, dy më të merituarit për fitoren e thellë me pesë gola diferencë (që rrallë ka ngjarë në kampionatet e shkuara) – Hasan Bajrami dhe Besimi Qerimi. Nga ndeshja në ndeshje këta po dëshmojnë se kanë vend ndër reprezentues”, kishte shkruar mes të tjera gazetari Abaz Dula me 14 shtator të vitit 1987 në sportin e “Rilindjes”.
Borci renditej në vend të dytë me 4 pikë dhe Pelisteri në të 9-tin me 2 dhe Dino Sllovani kryesonte me 4 pikë.
