Nis licencimi i bizneseve të kriptovalutave, njohësit sugjerojnë

0%

Rreth 10 biznese që ushtrojnë veprimtari në fushën e kriptovalutave dhe këmbimoreve janë mbyllur gjatë kësaj jave nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT). Kjo, në kuadër të zbatimit të planit operacional për mbikëqyrjen e tregut që do të inspektojë mbi 268 biznese të regjistruara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës.

E gjithë kjo ndodhi pikërisht në javën kur nisi edhe licencimi i bizneseve të kësaj fushe, bazuar në ligjin e veçantë për kriptovalutat. Por, për këtë proces, Banka Qendrore e Kosovës nuk ka dhënë detaje për KosovaPress, me arsyetimin se ende është në zhvillim.

“Duke pasur parasysh se disa procese janë ende në zhvillim dhe fazë finale, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) nuk preferon të prononcohet në këtë fazë.Megjithatë, pas përfundimit të procedurave përkatëse, do t’ju informojmë me kohë për çdo zhvillim relevant”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Për tu licencuar nga Banka Qendrore e Kosovës, duhet fillimisht të hapet biznesi, të vendoset bordi i tij, të kualifikohen edhe bordi edhe themeluesi i kompanisë dhe pastaj të bëhet pagesa për aplikim dhe depozitimi i bankës.

Detajet e këtij procesi, për KosovaPress i dha CEO i Crypto Albanian, Labinot Bajrami, Bajrami: Fillimisht duhet me i pagu 5 mijë euro për aplikim, për me u licencu “Prej marsit të këtij viti ne kemi një ligj të veçantë për kriptovaluta që quhet KASO, që është i bazum në MiCA regulation.

MiCA regulation është rregullacioni ose ligjet e Bashkimit Evropian për kriptovaluta, që për çdo shtet që synon me u anëtarësu në Bashkimin Evropian, patjetër duhet me apliku sidomos bazamentin e këtij ligji.

Banka Qendrore e Kosovës ka fillu shumë seriozisht me e shty përpara idenë e licencimit të këmbimoreve të cilat janë në Kosovë, edhe tash shumica e këmbimoreve veç janë në proces të licencimit.. Fillimisht duhet me i pagu 5 mijë euro për aplikim, për me u licencu. Pastaj janë 160 mijë euro që duhesh me i pas depozitë në xhirollogarinë bankare të kësaj kompanie.

Këto janë para të kompanisë, mirëpo në rast se këmbimorja në të ardhmen bën ndonjë gabim ose ndonjë mashtrim, atëherë kjo shumë e parave ka me u përdor për me i mbulu humbjet e klientave të cilët janë dëmtu”, shton ai.

Por, ligji që rregullon kryesisht operatorët dhe këmbimoret e kriptovalutave, e që synon mbrojtjen e konsumatorëve dhe përafrimin me rregullat e Bashkimit Evropian, sipas njohësve të fushës duhet të përditësohet, sidomos në pjesën e tatimit, edukimit dhe ndarjes së aktiviteteve financiare nga ato të marketingut.

Për më tepër, vlerësohet se e vështirëson ardhjen e kompanive të mëdha ndërkombëtare të kriptovalutave në Kosovë. Bajrami: Disa nene vështirësojnë qasjen e kompanive të mëdha në Kosovë në tregun e kriptos “Me ardhjen e ligjit edhe me disa nene që janë aty, kjo e vështirëson pak qasjen e kompanive të mëdha në Kosovë në aspekt të kriptos.

Mendoj që nëse ligji rregullohet në këtë aspekt, vijnë udhëzime administrative dhe lehtësime të tjera rreth aktiviteteve edukuese, rreth aktiviteteve të marketingut të këmbimoreve të mëdha, atëherë mendoj që Kosova ka me vazhdu me mbet një prej vendeve më të mira dhe më të përshtatshme për zhvillimin e këtij lloji të biznesit.

Ne e kemi pas një vërejtje dhe vazhdojmë me pas një vërejtje, është që me u nda çka është aktivitet financiar, domethënë mos me hy aktiviteti i marketingut edhe aktivitetet edukuese tek aktivitetet financiare”, thekson Bajrami. Edhe njohësi i fushës, Veton Brahimi, vlerëson se ligji kërkon përditësim në disa pjesë.

Ai thekson ndryshimin e ligjit në pjesën tatimore, të formohen kornizat, që sipas tij ato të tanishmet nuk përcillen mjaftueshëm me hapat e zhvillimit të teknologjisë.

Brahimi: Ligji duhet të përditësohet te pjesa e tatimit, por edhe të ec në hap me teknologjinë “Ligji për kriptovalutat në Kosovë është miratuar që nga viti 2024 dhe kryesisht rregullon operatorët ose Exchange dhe i mbron konsumatorët e Kosovës, është një ligj shumë me vend, ka nevojë për përmirësime dhe përditësime në disa pjesë, por ky është ligji që e kemi për momentin.

Ligji është me vend por duhet të përditësohet pjesa e tatimit, sipas ligjit që e kemi është që njëjtë si vepron në Evropë për kriptovaluta. Për tatim duhet të formohen kornizat, për shkak se ato të tanishme nuk përcillen mjaftueshëm me hapat e zhvillimit të teknologjisë.

Ne e dimë që ligjet vonojnë derisa të miratohen, teknologjia hec me një hap më të shpejtë, duhet të ketë hapësirë për rishqyrtim edhe njëherë. Është një proces i ngadalshëm por duke ecur, të gjithë operatorët vetëm kanë marrë ftesë nga BQK të cilat operojnë në mënyrë publike dhe janë proces e sipër për marrjen e licencave”, thotë Brahimi.

CEO i Crypto Albanian, Labinot Bajrami, thotë se Kosova është ndër vendet me interesimin më të madh për kriptovaluta në rajon dhe Evropë. Por e pranon se mbetet e komplikuar teknikisht forma e investimit. Bajrami: Është prej të parave në rajon, realisht është e dyta në Evropë mbas Ukrainës në përdorimin e kriptovalutave “Kosova është e para me interesim edhe me adaptim të kriptovalutave.

Është prej të parave në rajon, realisht është e dyta në Evropë mbas Ukrainës… Në bazë të statistikave që i kemi, 35 përqind e popullit të Kosovës përdor kripto në bazë ditore ose tregton me kripto, që është një shifër tepër e lartë.. Ka qenë e mundshme në Kosovë dhe Shqipëri, me investu përmes bankës, mirëpo përafërsisht që dy vjet ky opsion është ndal.

Edhe pse herë pas here, që mendoj që është gabim teknik, funksionon. Janë disa këmbimore në të cilat funksionon, që është Kraken-i, është CEX-i, mirëpo komisionet aty janë goxha të larta edhe nuk e preferojnë”, thotë Bajrami.

KosovaPress ka provuar të flas edhe me shumë pronarë të bizneseve të kësaj fushe, por në mungesë të licencës, ata kanë refuzuar të deklarohen, e as nuk kanë lejuar të filmohen bizneset e tyre.

Burimi: Bota Sot