Afaristi dhe ish-kandidati për deputet në Parlamentin Evropian nga komuniteti shqiptar në Itali, Muharrem Salihu, ka bërë thirrje për një angazhim më të madh institucional në mbështetje të shqiptarëve në Medvegjë, duke vlerësuar se kjo komunë po përballet me sfida serioze që rrezikojnë praninë e shqiptarëve në këtë trevë.
Në një reagim publik, Salihu shprehet se Medvegja po mbetet jashtë vëmendjes institucionale, duke përmendur se edhe gjatë vizitave të nivelit të lartë nga Shqipëria, ndalesat zakonisht bëhen në Preshevë dhe Bujanoc, ndërsa Medvegja lihet jashtë agjendës. “Prej vitesh e ngre zërin për Medvegjën.
Jo sepse është më e rëndësishme se Presheva apo Bujanoci, por sepse është ajo pjesë e trungut shqiptar që sot po përballet me sfidën më të madhe për mbijetesë. Me sinqeritet më duhet të them se më dhemb fakti që, edhe gjatë vizitave të nivelit më të lartë shtetëror nga Shqipëria, ndalesa bëhet në Preshevë dhe Bujanoc, ndërsa Medvegja mbetet sërish jashtë agjendës.
Kjo krijon përshtypjen se një komunitet i tërë po lihet në harresë”, ka shkruar ai në Facebook. Ai thekson se shqiptarët në Medvegjë po përballen me pasivizimin e adresave, largimin e banorëve, zvogëlimin e përfaqësimit institucional dhe presione që, sipas tij, rrezikojnë të ndryshojnë strukturën demografike të zonës.
Salihu kërkon mbështetje konkrete ekonomike, arsimore, kulturore dhe diplomatike për Medvegjën, duke theksuar se kjo komunë nuk kërkon privilegje, por të mos harrohet. “ Medvegja nuk kërkon privilegje. Kërkon të mos harrohet.
Kërkon praninë e institucioneve tona, vizita zyrtare, mbështetje konkrete ekonomike, arsimore e kulturore, si dhe një angazhim të vazhdueshëm diplomatik për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë aty. Unë do të vazhdoj ta ngre zërin për Medvegjën, sepse heshtja nuk është zgjidhje. Nuk mund të flasim për Luginën e Preshevës dhe të lëmë jashtë Medvegjën.
Nuk mund të flasim për unitet kombëtar, ndërsa komuniteti shqiptar që përballet me sfidën më të madhe të mbijetesës të mbetet në periferi të vëmendjes sonë. Dhe mbi të gjitha, duhet të kemi një ndërgjegjësim të qartë: mbrojtja e Medvegjës është barriera kryesore për mbrojtjen e shqiptarëve në Serbi”, ka shkruar ai.
Sipas tij, mbrojtja e Medvegjës është thelbësore për forcimin e pozitës së shqiptarëve në të gjithë Luginën e Preshevës dhe në Serbi. “Nëse mbrohet Medvegja, forcohet edhe pozita e shqiptarëve në Preshevë dhe Bujanoc. Nëse Medvegja dobësohet, pasojat nuk do të kufizohen vetëm aty, por do të prekin edhe Bujanocin dhe Preshevën. Prandaj, Medvegja nuk është thjesht një çështje lokale.
Ajo është një prioritet. Vëmendja ndaj saj duhet të jetë maksimale, angazhimi institucional i pandërprerë dhe mbështetja politike e diplomatike e pakursyer. Kujdesi ndaj Medvegjës nuk është vetëm mbrojtje e një komune. Është mbrojtje e dinjitetit kombëtar, e të drejtave të shqiptarëve në Serbi dhe e së ardhmes së gjithë shqiptarëve ne Serbi”.
