Inspektorati Qendror i Punës (IQP) ka ndaluar punimet në një objekt në ndërtim në rrugën “Elez Berisha” në Fushë Kosovë, pasi gjatë inspektimit ka konstatuar shkelje që rrezikonin jetën dhe shëndetin e punëtorëve. IQP njoftoi se inspektimi është kryer menjëherë pasi institucioni është njoftuar për rrezikun serioz që paraqiste vendpunishtja, e cila ndodhet përballë objektit të AAB-së.
”Gjatë inspektimit në objektin në ndërtim, inspektorët kanë evidentuar mungesën e mbyllësve anësorë mbrojtës të skelave, mungesën e fiksimit (ankorimit) të skelave, si dhe hapësira të tjera të hapura në objekt, të cilat paraqesin rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë e punëtorëve dhe qytetarëve”, thuhet në njoftim.
Për shkak të këtyre shkeljeve dhe me qëllim të parandalimit të rrezikut, IQP tha de “është marrë vendim për ndalimin e menjëhershëm të punimeve dhe vendosjen e shiritit zyrtar të ndalimit në vendpunishte”.
“Inspektorati Qendror i Punës mbetet i përkushtuar në mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të punës dhe do të vazhdojë të ndërmarrë masat e nevojshme ligjore ndaj çdo subjekti që nuk respekton kërkesat për siguri dhe shëndet në punë”, thuhet në njoftim.
