Tre persona janë arrestuar në flagrancë nga Policia e Lezhës, pas konstatimit të tre rasteve të kultivimit të bimëve narkotike në zonat e Mirditës dhe Kurbinit. Gjatë operacionit u asgjësuan gjithsej 436 bimë të dyshuara narkotike të llojit Cannabis Sativa.
Sipas Policisë, kontrollet u zhvilluan në terren nga toka dhe ajri, me përdorimin e dronëve, si dhe mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative. Në operacion u angazhuan shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, Komisariatit të Policisë Kurbin dhe Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë.
Në fshatin Sheshaj të Mirditës, u arrestua në flagrancë shtetasi J. R., 21 vjeç, banues në Durrës, i cili u kap duke u kujdesur për 222 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa. Në një rast tjetër, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin, arrestuan shtetasin D.
N., 47 vjeç, banues në Fshat Laç, i cili dyshohet se kujdesej për 151 bimë të dyshuara narkotike. Ndërkohë, specialistët e Komisariatit të Policisë Kurbin arrestuan edhe shtetasen V. M., 44 vjeçe, pasi në lagjen “Rrahu i Pashës”, në Laç, u gjetën 63 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, të cilat dyshohet se kultivoheshin prej saj.
Të gjitha bimët narkotike të konstatuara u asgjësuan me anë të djegies, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme hetimore.
