Menjëherë pas përpjekjeve të reja për negociata në konfliktin mes SHBA-së dhe Iranit, situata në Ngushticën e Hormuzit është përshkallëzuar sërish: Sipas ushtrisë amerikane, SHBA-ja ka goditur objektiva në Iran, pasi marina iraniane sulmoi një anije kontejnerësh në këtë ngushticë strategjike.
Sulmet thuhet, se janë reagim ndaj goditjes që Garda Revolucionare iraniane kreu ndaj një anijeje kontejnerësh me flamur të Qipros në Ngushticën e Hormuzit.
“Një anëtar civil i ekuipazhit rezulton i zhdukur, ndërsa anija nuk mund të vazhdojë lundrimin për shkak të një zjarri në bord dhe dëmeve të konsiderueshme në dhomën e motorëve”, njofton në platformën X Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM), përgjegjëse për rajonin. Sipas të njëjtit njoftim, sulmet janë kryer me urdhër të presidentit amerikan, Donald Trump.
Irani mbyll Ngushticën e Hormuzit Nga ana e saj, Garda Revolucionare iraniane njoftoi se Ngushtica e Hormuzit, me rëndësi strategjike për furnizimet, do të mbetet e mbyllur “deri në një njoftim të dytë”. Sipas saj, ndaj një anijeje që po lundronte në një “rrugë të paautorizuar” janë qëlluar të shtëna paralajmëruese.
Garda Revolucionare deklaroi, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve IRNA, se anija është goditur dhe është detyruar të ndalojë. Pas këtij incidenti, Ngushtica e Hormuzit do të mbete t “e mbyllur deri në një njoftim të ri dhe deri në përfundimin e ndërhyrjeve amerikane në këtë rajon; asnjë anije nuk do të lejohet të kalojë” , thuhet në deklaratë.
Armëpushimi nuk vlen më Kjo është vala e tretë e sulmeve amerikane ndaj Iranit gjatë kësaj jave. Pas arritjes së një marrëveshjeje kornizë mes Uashingtonit dhe Teheranit muajin e kaluar, në rajon kishte mbizotëruar përkohësisht një qetësi relative. Por gjatë natës së të mërkurës, SHBA-ja rifilloi sulmet masive ndaj Iranit.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se armëpushimi i rënë dakord me Iranin nuk ishte më në fuqi. Si reagim, forcat e armatosura iraniane sulmuan sërish bazat ushtarake amerikane në rajon. Të shtunën (11.07.) u fol se përrpjekjet ndërmjetësuese në konfliktin mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara po vazhdonin.
Uashingtoni zyrtar, u shpreh, se kishte pranuar vazhdimin e bisedimeve, shkroi presidenti amerikan Donald Trump në platformën e tij Truth Social. Sipas tij, një kërkesë e tillë kishte ardhur nga Irani. Megjithatë, SHBA-ja e bëri të qartë se armëpushimi nuk është më në fuqi. “Ne kemi qenë të qartë se armëpushimi ka marrë fund”, theksoi Trump. Irani e kundërshtoi këtë version.
Sipas televizionit shtetëror iranian, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, theksoi se Teherani nuk kishte kërkuar asnjë lloj bisedimi me SHBA-në. Sipas tij, Irani kishte pranuar vetëm një vizitë të ndërmjetësit nga Katari.
Sipas raportimeve të mediave, Shtetet e Bashkuara kërkojnë nga Irani një angazhim të qartë për lundrim të lirë dhe të sigurt nëNgushticën e Hormuzit. Deri të shtunën, udhëheqja iraniane duhet të garantonte publikisht se kjo rrugë detare do të mbetet e hapur dhe se Irani do të përmbahej nga sulmet ndaj anijeve tregtare. / DW
