Derisa Argjentina po përgatitet për ndeshjen çerekfinale të Botërorit kundër Zvicrës, nga Amerika e Jugut kanë ardhur lajme të dhimbshme. Ka ndërruar jetë Antonio Ubaldo Rattin, kapiteni legjendar i Boca Juniors dhe ish-reprezentuesi i Argjentinës. Rattin, një nga idhujt më të mëdhenj në historinë e Boca Juniors, u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare.
Ai ishte simbol i epokës së artë të klubit nga Buenos Aires dhe një figurë e paharruar e futbollit argjentinas. I njohur me nofkën “El Rati”, Rattin ishte një nga liderët më të mëdhenj që ka pasur ndonjëherë Boca. Ai u rrit në akademinë e klubit dhe debutoi për ekipin e parë në vitin 1956, në një fitore 2:1 ndaj River Plate, ku detyra e tij ishte të markonte legjendën Angel Labruna.
Ai nuk veshi kurrë fanellën e ndonjë klubi tjetër. Për 14 sezone mbrojti vetëm ngjyrat blu dhe të verdha të Boca Juniors, një besnikëri e rrallë në çdo epokë të futbollit. Rattin zhvilloi 382 ndeshje zyrtare, shënoi 28 gola dhe fitoi katër tituj me klubin.
Boca Juniors u përshëndet me legjendën e saj përmes rrjeteve sociale, duke kujtuar autoritetin, personalitetin dhe ndikimin e tij në mesfushë. Historia e tij është gjithashtu e shkruar përgjithmonë në historinë e kombëtares së Argjentinës. Ai ishte pjesë e kombëtares për një dekadë, mori pjesë në Kupat e Botës të viteve 1962 dhe 1966, madje mbajti edhe shiritin e kapitenit.
Pikërisht në Botërorin e vitit 1966 ai u bë protagonist i një prej momenteve më të diskutueshme në historinë e kampionateve botërore. Në ndeshjen kundër Anglisë, gjyqtari gjerman Rudolf Kreitlein e përjashtoi nga loja, edhe pse të dy nuk flisnin të njëjtën gjuhë. Rattin kërkoi një përkthyes para se të largohej nga fusha dhe iu deshën gati dhjetë minuta për të dalë jashtë.
Ajo skenë u bë historike, jo vetëm sepse ai përkuli flamurin e këndit me simbolin britanik dhe u ul mbi tapetin e kuq mbretëror në stadium, por edhe sepse ky incident ndikoi që FIFA të vendoste sistemin e kartonëve të verdhë dhe të kuq, të cilët u përdorën për herë të parë në Botërorin e vitit 1970.
