Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) sot sërish ka organizuar protesta në Tetovë, për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese me të cilin u shfuqizuan emrat shqip të rrugëve dhe shesheve në Tetovë.
Protestuesit marshuan nga sheshi “Iliria” para objektit të Komunës së Tetovës, ku edhe vendosën pankarta me mesazhe: “Edhe rrugët flasin shqip”, “Historia nuk abrogohet”, si dhe duke kërkuar dorëheqjen e kryetarit të Komunës së Tetovës Bilall Kasami.
Kryetari i degës së BDI-së në Tetovë Bajram Rexhepi, para fillimit të protestës tha se Komuna e Tetovës ka penguar qytetarët që të marrin pjesë në protestën e dytë. Rexhepi tha se varësisht reflektimit nga Komuna e Tetovës për këtë çështje, do të jenë edhe masat e tyre në të ardhmen.
“Shihni një mal me njerëz të cilët janë duke treguar mllefin ndaj kthimit të emrave të vjetër të rrugëve të Komunës së Tetovës. Ajo që na ka befasuar është se si Komuna e Tetovës po mundohet të pengojë pjesëmarrjen e qytetarëve në protestë. Kemi njoftuar policinë për protestën. Por edhe korin diplomatik në Shkup, të cilët janë duke monitoruar protestën.
Protestat do të vazhdojnë dhe ato varen nga reflektimi të cilin do të tregojë Komuna e Tetovës”, tha Rexhepi. BDI sërish protesta në Tetovë, Rexhepi: Shihni një mal me njerëz, komuna ka penguar qytetarët të marrin pjesë Kjo është protesta e dytë e BDI-së në Tetovë me të cilin kundërshtuan vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e emrave të rrugëve dhe shesheve.
Ndryshe, Gjykata Kushtetuese ditë më parë shfuqizoi vendimin e Komunës së Tetovës të vitit 2007 për riemërtimin e rrugëve dhe shesheve me arsyetimin se nuk është dhënë pëlqim nga Qeveria.
