Shpërndaje në: Fushata e korrje-shirjeve të grurit po vazhdon në gjithë Kosovën. Zyrtarët shtetërorë kanë vlerësuar se rendimentet e këtij viti do të jenë më të larta se kërkesat për konsum. Sipas ministrit në detyrë të Bujqësisë, vetëmjaftueshmëria pritet të arrijë në 125 për qind. Në 140 hektarë të mbjellë me grurë, fermeri nga Podujeva, Malësor Sejdiu, pret 840 mijë kilogramë rendiment.
Ai ka thënë se sivjet është siguruar më shumë sasi drithi se një vit më parë. “Rendimentet këtu po i shihni, kemi korrur para shiut, kanë qenë 6 ton.
Diku mund të jenë edhe më shumë, por rendimentet janë më të kënaqshme se në vitin e kaluar siç e shohim në terren”, ka deklaruar ai gjatë një vizite që iu bë nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja. Rendimenti për të cilin ka folur Sejdiu, është mbi mesataren që pritet në nivel të Kosovës.
Gjatë vizitës që Kurti, i bëri këtij fermeri, ka thënë se një hektar i mbjellë me grurë pritet të japë deri në 5 tonë drithë.
“Bazuar në gjendjen në terren dhe kushtet klimatike, presim rendimente mesatare prej 4 deri në 5 ton për hektar, ndërsa procesi i korrjes pritet të përfundojë deri në fund të korrikut ose nëse do të ketë reshje, mund të shkojë edhe në javën e parë të gushtit në vise të caktuara të Kosovës”, ka thënë Kurti.
E, ministri në detyrë i Bujqësisë ka thënë se Kosova pritet të sigurojë 400 mijë tonë grurë këtë vit, sasi kjo, sipas tij, më e madhe sesa kërkesat për konsum. “Kosova po shkon drejt plotësimit të të gjitha nevojave të saj.
Vetëmjaftueshmëria sivjet do të duhej të arrijë diku rreth 125%, që do të thotë të gjitha përpjekjet e përbashkëta të qeverisë së fermerëve po japin rezultat dhe Kosova sigurisht e ka siguruar bukën e vet”, ka deklaruar Muja. Këto deklarata të Mujës, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, i ka cilësuar propagandë politike të të ’80-tave.
“Me këto deklarata alla sistem socialist, na larg e kemi Evropën. ‘Vetëmjaftueshmëria e Kosovës, 125%’ ‘Kosova drejt plotësimit të të gjitha nevojave të saj.’ ‘Kosova, sigurisht e ka siguru bukën e vet. ‘ Edhe sa vjet duhet me dëgju këto propaganda politike të viteve 80!” ka shkruar ajo në Facebook.
Këtë vit në Kosovë, sipas autoriteteve, janë mbjellë mbi 75 mijë hektarë me drithëra të bardha, prej të cilave rreth 72 mijë hektarë me grurë.
Ndërkaq të dhënat nga Anketa e Ekonomive Bujqësore 2025, e publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës sivjet në qershor, flasin për 82 mijë hektarë të mbjellë me grurë, me prodhim prej gati 380 mijë tonësh apo rendiment prej 4.6 për tonë për hektarë. Deklarata kontradiktore për sipërfaqet e mbjella ishin bërë edhe vitin e shkuar nga ish-ministri, Faton Peci.
KOHA pati raportuar në korrik 2025 se Peci ka deklaruar se ai vit ishte rekord me sipërfaqe të mbjella e të njëjtën gjë e pati thënë edhe më 2024, kur ishte shprehur se është “siguruar buka e motmotit”. Por sipas të dhënave publike, më 2024 pati pasur rënie të hektarëve të mbjellë me grurë krahasuar me vitin 2023.
