E enjte, . Në orën 18 ndodhem te Lulishte “1 Maji”, afër Urës së Tabakëve në Tiranë. Një zë më thërret nga anash. Ishte miku im, Basir Çollaku. Por çfarë të shoh?! Bashkë me Basirin ishte një mik tjetër imi i çmuar, ambasasdori Besnik Konçi, një diplomat karriere, përfunduar në emigracion. Një nga paradokset shqiptare të rilindjes është edhe kjo. Kishte ardhur nga Kanadaja.
Kisha ndoshta një dekadë pa e parë. U përqafuam dhe jo vetëm u përshëndetëm. Niku më pati shpëtuar jetën dikur, para 24 vitesh, në qershorin e vitit 2002. Gjatë bisedës e sollëm edhe atë kohë dhe atë ngjarje. Më në mbrëmje Niku më telefonoi dhe më kërkoi që medoemos të takoheshim të nesërmen në mëngjes te kafja te Kulla e Sahatit në Tiranë.
E dija se do të më transmetonte ndonjë lajm të keq. Sepse ai disa herë më kishte njoftuar që psh nesër të mos shkoja te puna, te redaksia e Revistës “KOHA” apo zyrat e Shtëpisë Botuese “KOHA”, sepse do të vinin “dajtë”!
Dajtë ishin punonjësit e SHIK, të drejtuar nga ish-drejtori i Shtypit në SHIK, Piro Visari, (tashmë i ndjerë), të cilët vinin ritmikisht çdo dy javë, dmth sa herë dilte revista në treg, për të më kërkuar me ngulm se “nga i merrja unë informacionet që botoja në revistë”! Niku kishte punuar në SHIK në vitet e para të ’90-tave dhe për pasojë kishte shumë miq, të cilët punonin në SHIK.
Një prej këtyre miqve të Nikut e njoftonte atë se mysafirët e paftuar do të më vinin për të më bërë presionin e radhës për punën time editoriale dhe në gazetari. Kishte raste që më zinin gafil dhe më mbanin deri katër orë të gozhduar në zyrë, duke u çjerrë e duke më kujtuar kohën e sigurimit të shtetit. Por, si hasjan 24 karat, pra me kokën “derr”, nuk i bëja hesap.
Sepse besoja në parimet dhe të drejtën time legjitime. Për nja gjashtë muaj gjatë vjeshtë-dimrit 2001-2002 më patën vënë dy veta me një makinë VW ngjyrë blu para derës së redaksisë, aty te Bregu i Lanës pranë Sheshit “1 Maji”! Por sërishmi nuk isha i shqetësuar.
Madje dy personave që më vëzhgonin gjithë kohës, kur binte shi, shkoja dhe u thoja “Hajdeni brenda, se bën ftohtë dhe ju ndoshta e kryeni detyrën më mirë po të jeni prezent në zyrat e redaksisë”! Ata nuk flisnin! Sikur ua kishin mbyll gojën me natriban! Nejse! Më 23 qeshor të vjetit 2002 në orën 8.00, u takuam me Nikun te kafe “Sahati”! U ulëm dhe pashë se ai ishte shumë i shqetësuar.
Më tha menjëherë: “Enver! Ti duhet të ikësh nga Shqipëria! Madje sa më shpejt, mundësisht nesër”! E pyes për arsyen dhe ai më thotë: – Fatos Klosi ka dhënë urdhër për likuidimin tënd, sepse mendon se tashmë nuk e ke mbështetjen e opozitës dhe askush nuk do të merret me ngjarjen”! U mendova pak dhe i thashë se do të iki.
Vendimin për të ikur e kisha menduar edhe më parë, por nuk do e merrja atë vendim atë kohë, nëse nuk do të më vinte ky paralajmërim. E besova plotësisht atë që më thoshte miku im i vyer. Ai ishte edhe bashkëpunëtor i përhershëm i revistës. Rrinim vazhdimisht bashkë. Ndoshta ishim të dy së bashku në të njëjtën shënjestër.
Ndërkohë e kuptova edhe arsyen pse Klosi besonte se unë nuk kisha ato momente mbështetjen e opozitës. Në dhjetor 2001 Agim Shehu, ish-zv ministër i Brendshëm dhe Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, shkroi një artikull me akuza për ish-kryeministrin, Aleksandër Meksi. Atë shkrim e botova menjëherë në revistën “KOHA”.
Më vonë mora vesh se shkrimi kishte shkuar edhe në disa adresa të tjera të medies, por nuk kishin pranuar ta botonin. Unë e botova nisur nga fakti se artikullshkruesi kishte qenë vartës i kryeministrit Meksi dhe për pasojë dinte dhe thoshte të vërtetat e veta.
Në mbrëmjen e ditës që u botua shkrimi më telefonoi zoti Meksi dhe ndër të tjera më thotë se “Ti dhe Agim Shehu jeni spiunë të UDB-së”! Ia ktheva me shumë qetësi: – Jo Leka! Nëse do isha unë spiun, nuk do të ishe ti kryeministër, sigurisht që do të isha unë para teje në atë post!
Mës pas Leka e çoi çeshtjen në gjyq dhe gjykata e faktit na dënoi mua dhe Agim Shehun me 5 milion lekë të vjetra për “shpifje dhe denigrim të figurës publike – Meksit”! Ndërkohë gjykata e Apelit e ngriti dënimin nga 5 milion në 20 milion lekë. Dmth e katërfishoi.
Kur gjytari i Gjykatës Administrative të Goettingenit në Gjermani më dha të drejtën e azilit politik, bëri një argumentim shumë interesant, argument të cilin nuk e kisha menduar as unë, as avokati im gjerman.
Ai tha shprehimisht: “Mua më mjaftojnë këto dy vendime të gjykatave që të shpall ty dhe gjithë familjen tënde, përfshirë dhe dy fëmijët, të cilët nuk janë me ju këtu në Gjermani, si të rrezikuar në Shqipëri. Sepse nuk ndodh askund në botë që Gjykata e Apelit ta rritë masën e dënimit.
Gjykata e Apelit ose le në fuqi vendimet e gjykatës më të ulët, ose e rikthen për shqyrtim, ose e ul masën e dënimit. Por nuk mund ta rritë atë. Në Shqipëri, sa më e lartë është gjykata, aq më e politizuar është ajo. Prandaj ju prej këtij momenti keni të drejtën e azilit politik në Gjarmani”! Gjatë kësaj kohe Aleksandër Meksi filloi sulmet mediatike ndaj meje dhe gjeneral Agim Shehu.
Një ditë u shfaq edhe në TV ATN1, kryeredaktor i të cilit ishte i ndjeri, miku im, Sokol Olldashi. Në atë shfaqje televizive Meksi sulmoi ashpër. Shkova në redaksi që t’i përgjigjem dhe Sokoli filloi të më intervistonte. Por dera e studios ishte e hapur. Aty kalon drejtori i TV, A. Rama. Ai e kërkoi Kolin dhe kur u kthye Koli i shkretë më thotë “Nuk mund ta bëjmë këtë intervistë bashkë”!
Kishte dhënë porosi Berisha që Meksi të fliste dhe ne që goditeshim prej tij, të mos flisnim. Atë ditë mbas dite Sokoli dhe Mero Baze shkojnë te zyra e doktorit dhe ia shtrojnë çeshtjen. Nuk e di çfarë përgjigje u ka dhënë atyre Berisha, por mua më tha se “Nuk kemi asgjë me ty” dhe të mos shqetësohem!
Paraqitja e Aleksandër Meksit në mediat e djathta të lidhura me Partinë Denokratike në opozitë e kishte bindur Fatos Klosin se unë nuk e kisha më mbështetjen e kësaj opozite. Për këtë arsye nuk pata dilema se urdhëri i kreut të SHIK-ut ishte i bazuar në një realitet të caktuar.
Ai kishte besuar se nëse ndodh likuidimi fizik imi, atëherë askush nuk do të ngrinte zërin e të bërtiste për këtë. Një vit e gjysëm më parë e kishte bërë një tentavivë të tillë (), kur më morën peng në mes të Tiranës, por mori një përgjigje të rreptë nga opozita dhe kreu i saj, Berisha. Tani Klosi kishte besuar ndryshe. Megjithatë, këto ngjarje i hodha për të thënë diçka më shumë.
Të enjten e shkuar në mbrëmje, pra më , në bisedë me mikun tim, Besnik Konçi, mësova se personi i ngarkuar për likuidimin tim, duke qenë se nuk donte ta kryente aktin ishte i interesuar shumë që unë të ikja nga Shqipëria.
Ky person, emrin e të cilit nuk ma ka thënë asnjëherë Niku, nuk ka dashur ta kryejë këtë vepër kriminale dhe nëse unë arratisesha nga Shqipëria, siç edhe bëra më 26 qeshor 2002, atëherë ai do të justifikohej se “Enver Bytyçi ka ikur nga Shqipëria dhe nuk kam ku ta gjej”! Në fund të fundit edhe ikja ime nga Shqipëria ishte një lloj suksesi për Fatos Klosin dhe SHIK-un e tij.
Ndoshta ka qenë edhe një metodë presioni e SHIK-ut për të më detyruar që të largohem nga vendi. Ndoshta ky ishte edhe skenari i këtij operacioni të shërbimit të fshehtë shqiptar. Por nuk besoj se këtë të vërtetë do ta mësojmë ndonjëherë. Çfarëdo që bëjnë shërbimet sekrete e varrosin njëherë e përgjithmonë! Çdo ditë duhet t’i falenderohemi Zotit se jemi gjallë në këtë botë.
Dhe këtë e bazoj jo vetëm në këtë ngjarje! Kam kaluar shumë sfida të tjera, për të cilat nëse nuk do të m[ ndihëmonte Zoti, sot nuk do të isha në këtë jetë ose së paku nuk do të isha ky që jam! Faleminderit Zotit! Faleminderit Nikut e mirënjohje pa fund! Faleminderit dhe atij SHIK-sit që ka patur dilema të zbatonte urdhërat e kriminelit Fatos Klosi!
