Nga: Donisa Fazliu Shpërndaje në: Përpjekjet për të arritur një marrëveshje mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike, kanë nisur në kohën kur brenda LDK-së janë marrë nisma kundër lidershipit të partisë.
Analistët kanë vlerësuar se ndasitë e brendshme në këtë parti mund ta vështirësojnë jo vetëm arritjen e një koalicioni, por edhe sigurimin e votave të nevojshme për zgjedhjen e presidentit.
Sinjalet për një marrëveshje të mundshme që kanë dhënë një ditë më parë kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe kryetari i partisë që doli e treta në zgjedhje, Lumir Abdixhiku, janë përcjellë me heshtje nga të pakënaqurit në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Deputetët e zgjedhur Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti, Kujtim Shala, Arben Gashi, Armend Zemaj e Janina Ymeri nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS të shtunën në lidhje me qëndrimin për marrëveshje të mundshme me Lëvizjen Vetëvendosje. E, pikërisht pakënaqësitë brenda LDK-së të shprehura në lidershipin aktual, sipas analistit Afrim Kasolli, e bëjnë të pasigurt çfarëdo marrëveshjeje.
“Lidershipi i LDK-së është duke u përballur me një test serioz, sepse kemi informata që po qarkullojnë në opinionin publik, që tashmë një pjesë e mirë e anëtarësisë, organeve të këtij subjekti politik i kanë mbledhur nënshkrimet për votëbesim ndaj kryetarit të saj dhe paralelisht me këto negociata në anën tjetër po thellohet antagonizmi në Lidhjen Demokratike të Kosovës që e bën tejet të pasigurt mundësinë e bashkëpunimit për shkak të pamundësisë të unitetit të brendshëm”, ka thënë Kasolli.
Ai ka vlerësuar se një marrëveshje mund të synohet më shumë nga lidershipi i LDK-së, pikërisht si mjet për t’u dhënë poste të pakënaqurve brenda partisë.
“Këtë nismë të tandemit Osmani e Abdixhiku, me këtë vullnet të tyre, e para për të shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe e dyta për ndonjë koalicion eventual mund ta shoh edhe si kalkulim të tyre, që nëpërmjet mundësisë së pushtetit, atëherë do të kenë shansin që t’i relativizojnë pak a shumë tensionet dhe pakënaqësitë që po shtohen dita ditës ndaj tyre”, ka thënë ai.
E, analisti Basri Muja ka thënë se edhe nëse arrihet marrëveshja LVV-LDK, ajo nuk garanton arritjen e numrit të nevojshëm prej 80 deputetësh për zgjedhjen e presidentit, shkaku i mosunitetit brenda grupit parlamentar të partisë së drejtuar nga Abdixhiku.
“Një koalicion mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike, nuk duket shumë i mundshëm në këtë fazë së paku, por edhe nëse arrihet ai gjithsesi nuk garanton zgjedhjen e presidentit edhe për shkak të ndarjeve të mëdha brenda LDK-së, por edhe për shkak të kërkesës për mbështetje më të gjerë parlamentare të këtij procesi”, ka vlerësuar Muja.
Kurti dhe Abdixhiku kanë deklaruar se negociatat e nisura të premten do të vazhdojnë dhe shprehën optimizëm për marrëveshje. Kurti ka folur për “ndërmarrje të gjerë” duke përmendur diskutime për Qeveri, Kuvend e president, ndërkaq Abdixhiku ka thënë se synojnë “shmangien e domosdoshme të zgjedhjeve të reja”.
Ndërkaq kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, i cili u prit po ashtu nga Kurti, u shpreh pas takimit se subjekti politik që drejton do të mbetet në opozitë. Megjithëkëtë, zyrtarë të kësaj partie nuk e kanë përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit gjatë procesit të konstituimit të institucioneve, apo pas ofertave të mundshme për president konsensual.
“PDK-ja do të vazhdojë të jetë konstruktive dhe në funksion të krijimit të institucioneve, mungesa e të cilave tashmë prej një kohe të gjatë ka qenë e pajustifikueshme.
Sa u përket nismave dhe ofertave për të cilat ju po flisni, PDK-ja do t’u përgjigjet atyre në kohën kur ato paraqiten, duke i shqyrtuar me përgjegjësi dhe seriozitet”, ka thënë zëdhënësi i këtij subjekti politik, Faton Abdullahu. Në Vetëvendosje dhe as në LDK nuk u janë përgjigjur pyetjeve përkitazi me procesin e mëtejmë të negociatave mes tyre dhe zgjedhjen e presidentit.
Por, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili është deputet i zgjedhur nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosjes, ka shprehur qëndrimin se Kosovës i duhet president konsensual.
Në një intervistë për KosovaPressin, ai ka theksuar se për kreun e shtetit duhet dakordim nga spektri i gjerë politik, ndërsa ka bërë të ditur se partia që ka fituar zgjedhjet tashmë i ka siguruar numrat edhe për formimin e qeverisë e edhe për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
“Normalisht që detyrim, obligim kryesor i Lëvizjes Vetëvendosje është konstituimi i kuvendit dhe votimi, pra funksionalizimi i qeverisë, sepse si parti e parë e ka obligim kushtetues që të drejtojë… Po, numrat për qeverinë normalisht edhe për kryetarin e Kuvendit janë”, ka thënë Maqedonci.
E tek ka folur për profilin e kandidatit për president, Maqedonci ka thënë se duhet të jetë jopartiak. Sipas tij, presidenti që është edhe komandant suprem i Forcës së Sigurisë, mund të jetë edhe me karrierë ushtarake. “Nuk e përjashtoj mundësinë që të jetë edhe nga kjo fushë(prapavijë ushtarake).
Po unë vlerësoj që është shumë e rëndësishme që të jetë konsensual, që të jetë i pranueshëm pra edhe të mos jetë pjesë e këtyre fërkimeve që i kemi të përditshme politike në mes të liderëve apo mund të themi zyrtarëve të partive politike”, ka thënë Maqedonci.
Nëpërmjet zgjedhjeve të 7 qershorit, Vetëvendosja ka siguruar 53 mandate, e cila bashkë me deputetët e komuniteteve, pa përfshirë nëntë të Listës Serbe, siguron shumicën parlamentare. Ndërkaq, LDK-ja ka gjithsej 18 deputetë, por së paku pesë nga ta publikisht janë shprehur kundër një koalicioni të mundshëm me LVV-në.
Në zgjedhje, LDK-ja kandidoi si prijëse të listës me ish-presidenten Vjosa Osmani, e së cilës nuk iu dha mbështetja nga VV-ja për një tjetër mandat muaj më parë. LDK-ja doli sërish e treta e pas zgjedhjeve disa degë të partisë dolën publikisht me kërkesën për dorëheqjen e Abdixhikut. Pasi ai refuzoi, ka nisur mbledhja e nënshkrimeve për thirrjen e një Kuvendi të jashtëzakonshëm.
