Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur për raportet që ka me homologun e tij nga Kosova, kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Gjatë një tubimi në Jalë me studentë dhe të rinjtë, Rama u pyet nëse do të thërrasë Kurtin për të reaguar njëzëri në lidhje me protestat e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.
Studentët në Maqedoni të Veriut kanë protestuar pasi janë të pakënaqur që Provimi i Jurisprudencës nuk po mbahet në gjuhën shqipe. Rama ka deklaruar se nuk e bën “babën e askujt që ka shpinë e vet”, teksa ka theksuar se Kosova e ka kryeministrin dhe institucionet e veta. “Unë nuk bëj babën e askujt që ka shpinë e vet.
Kosova ka kryeministrin e vet, ka institucionet e veta dhe ka pasur një kohë para se të bëhesha unë kryeministër kur nga Tirana i tregohej Kosovës se çka duhej me bë e i shkohej atyre në Shkup e Tetovë dhe u tregohej se çka duhej me bë. Kanë qenë vite shumë brutale për nga vullgariteti i politikës së jashtme në tërësi dhe politikës rajonale në veçanti.
Brutalisht injorancë, që ka sjellë vetëm dëme”- ka deklaruar Rama më (minuta në video). Rama ka thënë se me Kurtin e takon me shumë kënaqësi, duke shtuar se kanë respekt reciprok por që nuk janë në kushtet që siç tha kryeministri shqiptar, “t’i themi hajde këtu ti, e ai jo e jo”. Gjithashtu, Rama tha se po të kishte një kamerë të shihte kur takohet me Kurtin, do habitej e gjithë dynjaja.
“Për sa i përket Kosovës, Kosova është shtet tjetër. Kosova nuk është krahinë e Shqipërisë në kuptimin që nuk varet nga Shqipëria. Është shtet tjetër. Ka institucionet e veta, kështu që unë Albinin gjithmonë e takoj me shumë kënaqësi.
Na ecën muhabeti shumë mirë kur takohemi dhe bëjmë shumë humor me njëri-tjetrin, po të kishte një kamerë të shihte kur takohem me Albinin, do habitej e gjithë dynjaja. Por nuk jemi në kushtet që t’i themi hajde këtu ti, e ai jo e jo. Kështu që kemi respekt reciprok, por secili ka shtetin e vet, qeverinë e vet, mendjen e vet.
Fatmirësisht qëllimet i kemi të përbashkëta, metodat i kemi të ndryshme, dy njerëz të ndryshëm dhe s’ka problem”- ka thënë ai. Studentët në Maqedoninë e Veriut gjatë protestave kanë mbajtur pankartat me mbishkrimet “Stop diskriminimit institucional”, “Respekto Ligjin për Gjuhët”, “Kjo gjuhë ka dëshmorë pas vetes” dhe një numër flamujsh kuq e zi.
Gjuha shqipe hyri në përdorim zyrtar në Maqedoninë e Veriut kryesisht në nivel komunal gjatë viteve 2008-2009, në bazë të marrëveshjes së paqes të arritur në vitin 2001 për t’i dhënë fund muajve të përplasjeve ndërmjet guerilëve shqiptarë etnikë dhe forcave shtetërore të sigurisë.
Ligji për Përdorimin e Gjuhëve i vitit 2019 e bëri përdorimin e saj standard edhe në nivel shtetëror, në të njëjtin nivel me maqedonishten, duke zgjeruar përdorimin e shqipes në arsim, shkencë, shëndetësi dhe sektorë të tjerë. Asnjë prej këtyre ligjeve nuk e përmend shprehimisht “gjuhën shqipe”, por i referohet çdo gjuhe që flitet nga të paktën 20% e popullsisë.
Sipas regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut në vitin 2022, shqiptarët përbëjnë 24.3% të popullsisë. Studentët argumentojnë se ligji u jep të drejtën ta japin Provimin e Jurisprudencës në shqip dhe në janar 2026 dorëzuan një peticion me 385 nënshkrime në Ministrinë e Drejtësisë, parlament, qeveri dhe institucione të tjera përkatëse.
Qeveria është përpjekur të shmangë dhënien e një përgjigjeje të drejtpërdrejtë, duke iu referuar shqetësimeve më të gjera ligjore që lidhen me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe sfidave të vazhdueshme ndaj përmbajtjes së tij në Gjykatën Kushtetuese. Partia VMRO-DPMNE e kryeministrit Hristijan Mickoski kishte kundërshtuar ligjin e vitit 2019, i cili u miratua kur ajo ndodhej në opozitë.
Kryeministri Mickoski ka përmendur një opinion të marsit 2025 nga Komisioni i Venecias, organ këshillues i Këshillit të Evropës për çështjet kushtetuese, në të cilin theksohet nevoja për “burime shtesë administrative dhe/ose financiare” për të garantuar një sistem gjyqësor dygjuhësh.
Protesta e parë u mbajt më dhe mblodhi qindra studentë të Universitetit të Europës Juglindore dhe Universitetit të Tetovës në Shkup.
