E lënë në harresë dhe e degraduar nga koha, shtëpia ku lindi Faik Bej Konica në Konicë të Greqisë ndodhet sot në gjendje të rënduar, me muret e dëmtuara dhe e mbuluar nga bimësia. Godina, e njohur si shtëpia e Hysen Bej Shishkos, mbart një vlerë të veçantë historike, pasi lidhet me jetën e një prej figurave më të shquara të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Biznesmeni dhe filantropi Beqir Potka, një nga kontribuesit për rikthimin e eshtrave të Faik Konicës në Shqipëri, apelon që institucionet shqiptare të bashkëpunojnë me autoritetet greke për restaurimin e godinës dhe kthimin e saj në një muze kushtuar veprës dhe jetës së Konicës.
“Mbasi pashë këtë kështjellë, unë do ta përhap këtë lajm në të gjithë shqiptarët e ndershëm, në të gjithë shqiptarët që dëshirojnë për atë burrë kaq të madh që mbajti emrin e Shqipërisë që kur njerëzit vijnë në Shtetet e Bashkuara dhe presin oficerin e emigracionit Iver Vulën ishin fjalët e këtij. Ishte dëshira e këtij që e bëri Shqipërinë ta njihte bota.
Unë bashkë me gjithë ata që do ta dëgjojnë këtë lajm dhe ata miqtë që unë i kam të afërt do kontribuojmë që kjo shtëpi të kthehet një shtëpi muze për njeriun më të madh që ka pasur Shqipëria”, tha ai. RTSH raporton se ndërsa godina vazhdon të degradohet, mbetet ende pa një projekt restaurimi.
Për shumë studiues dhe dashamirës të historisë shqiptare, ruajtja e kësaj shtëpie do të ishte një mënyrë për të nderuar kujtimin dhe trashëgiminë e një prej personaliteteve më të rëndësishme të kombit.
