Një qen i racës Staffordshire Bull Terrier është bërë sensacion në rrjetet sociale pasi pronari i tij i solli një lodër prej pelushi që dukej pothuajse identike me të. Në videon e publikuar, qeni fillimisht e vëren “binjakun” e tij prej pelushi dhe afrohet me shumë kureshtje.
Ai e nuhat lodrën, e shikon nga afër dhe përpiqet të kuptojë se çfarë është, duke shkaktuar të qeshura me reagimin e tij të sinqertë dhe të hutuar. Pronarët e vendosën lodrën përballë tij për të parë reagimin, ndërsa stafordi nuk ia ndau sytë për disa çaste, sikur po përpiqej të kuptonte nëse kishte përballë një qen tjetër apo thjesht një objekt.
Videoja u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale, ku mblodhi mijëra pëlqime dhe komente. Shumë përdorues shkruan se qeni dukej sikur kishte gjetur “vëllain e tij binjak”, ndërsa të tjerë u argëtuan me shprehjet e tij plot habi.
Reagimi i stafordit u vlerësua si një nga videot më të ëmbla të ditëve të fundit, duke dëshmuar edhe një herë se kafshët shtëpiake vazhdojnë të fitojnë zemrat e miliona njerëzve në internet.
