Historia e ‘artë’ e Majlinda Kelmendit bëhet libër

0%

Në kuadër të Panairit të Librit Prishtina 2026, sot u promovua libri biografik “Unë jam Majlinda Kelmendi”, kushtuar kampiones olimpike të Kosovës, Majlinda Kelmendi. Libri sjell historinë e suksesit, sfidave dhe rrugëtimit të njërës prej sportisteve më të suksesshme që ka njohur Kosova.

Autorja e librit është Teuta Berisha, ndërsa ilustruesi është Ylber Cërvadiku, të cilët kanë dokumentuar jetën dhe karrierën e xhudistes kosovare përmes këtij botimi. Promovimi i librit u zhvillua në stendën e shtëpisë botuese Albas, ku e pranishme ishte edhe vetë Majlinda Kelmendi.

Të pranishmit patën mundësinë të njiheshin më nga afër me librin, të takonin kampionen olimpike dhe të merrnin autografe në kopjet e veprës. Dokumentimi i rrugëtimit të Majlinda Kelmendit ka një rëndësi tejet të veçantë, pasi me rezultatet e saj ajo u shndërrua në një nga ambasadoret më të mira të Kosovës në botë, duke ngritur flamurin e shtetit në podiumet më të mëdha ndërkombëtare.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Përmes këtij libri, historia e saj ruhet dhe përcillet te brezat e ardhshëm si një shembull i përkushtimit dhe suksesit. “Unë jam Majlinda Kelmendi” vjen si një dëshmi e rëndësishme e historisë së sportit kosovar, duke sjellë para lexuesve jo vetëm sukseset e një kampioneje, por edhe vlerat e punës, disiplinës dhe përkushtimit që e shoqëruan në rrugën drejt majave të sportit botëror.

Burimi: Telegrafi