Ferran Torres po mendon gjithnjë e më shumë largimin nga Barcelona gjatë kësaj vere, ndërsa destinacioni i mundshëm për sulmuesin spanjoll është Paris Saint-Germain. Ndryshe nga afatet e kaluara kalimtare, këtë herë dëshira për largim vjen nga vetë lojtari, i cili beson se mund të ketë më shumë hapësirë dhe perspektivë te kampioni francez.
Njëzet e gjashtë vjeçari ka pasur paraqitje të mira në Botërorin 2026, ku është shfaqur si një nga lojtarët më të spikatur të Spanjës, pavarësisht se te Barcelona nuk ka qenë gjithmonë titullar i rregullt. Barcelona ka pasur probleme financiare dhe emri i Torres është përmendur disa herë si kandidat për largim, por deri tani lojtari kishte refuzuar mundësinë e largimit nga “Camp Nou”.
Tashmë situata duket se ka ndryshuar. Klubi katalonas pritet të investojë në një sulmues të ri dhe objektivi kryesor është Julian Alvarez, një transferim që mund të kushtojë mbi 100 milionë euro. Një përforcim i tillë do ta vendoste Torres edhe më larg formacionit bazë. Konkurrenca në repartin ofensiv të Barcelonës është shumë e madhe.
Lamine Yamal është titullar i padiskutueshëm në krahun e djathtë, ndërsa Anthony Gordon pritet të ketë rolin kryesor në krahun e majtë. Përveç tyre, Barcelona vazhdon të interesohet edhe për lojtarë si Karim Adeyemi dhe Marcus Rashford. Në këto rrethana, Torres mund të zbresë deri në vendin e pestë në hierarkinë e sulmuesve të Barcelonës. Situatën po e përcjell me interes PSG-ja.
Trajneri Luis Enrique, i cili e njeh Torres nga koha kur drejtonte Spanjën, e dëshiron atë si një sulmues që mund të luajë në të tri pozicionet e repartit ofensiv. Barcelona nuk pritet ta pengojë largimin e tij, sidomos pasi kontrata e Torres skadon pas një viti. Megjithatë, klubi katalonas kërkon të paktën pesëdhjetë milionë euro për kartonin e tij.
Nëse nuk arrihet marrëveshja këtë verë, Barcelona rrezikon ta humbasë Torres pa përfituar asnjë shumë financiare në vitin 2027.
