Djemtë e vrarë jetojnë në ëndrrat e një nëne nga Srebrenica

0%

Aisha Omeroviq humbi dy djemtë e saj dhe edhe 40 anëtarë të familjes në gjenocidin në Srebrenicë. Para 24 vjetësh, ajo u kthye në vendin ku u vranë të afërmit e saj. Më shumë se tri dekada më vonë, ajo flet për humbjen, kujtimet dhe jetën pas gjenocidit. “Njëri djalë ishte i lindur më 1970, tjetri më 1973. Kur i shoh tani disa nga bashkëmoshatarët e tyre…

S’mund t’i shpjegohet ajo plagë dikujt që nuk është i plagosur vetë. Nuk ka fjalë. Por, gjej forcë disi dhe nuk qaj shumë. Kam qarë shumë”- rrëfen ajo. Omeroviq tregon se si e pa në ëndërr dajlin e saj të vogël. “E kam parë në ëndërr djalin e vogël. Më tha: ‘Nënë, nënë, mos qaj aq shumë. Unë jam në ujë’. E ndjej, sidomos djalin e vogël. E ndjej sikur vjen te unë, ngjit shkallët. E dëgjoj.

Pres që ai ta hapë derën, por ai nuk vjen”- tregon Omeroviq. Deri më tani, në Qendrën Memoriale në Potoçari janë varrosur 6.782 viktima të gjenocidit të Srebrenicës, ndërsa rreth 250 të vrarë janë varrosur në vende të tjera, sipas kërkesës së familjeve të tyre. Mbi 1.000 persona nga Srebrenica dhe komunat përreth vazhdojnë të figurojnë të zhdukur.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2007 nxori një aktgjykim, në të cilin konstatoi se në korrik të vitit 1995, në Srebrenicë, e cila atëherë ishte zonë e mbrojtur e OKB-së, Ushtria e Republikës Sërpska kreu gjenocid.

Po e njëjta gjykatë e shpalli Serbinë përgjegjëse për mosparandalimin e gjenocidit dhe konstatoi se ajo kishte shkelur detyrimin për të ndëshkuar autorët e gjenocidit. Para gjykatave të ndryshme, deri më tani më shumë se 50 persona janë dënuar me mbi 700 vjet burgim për gjenocid dhe krime lufte në Srebrenicë.

Me burgim të përjetshëm janë dënuar, ndër të tjerë, ish-presidenti i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i ushtrisë së këtij entiteti, Ratko Mlladiq./ REL

Burimi: Kallxo