Përgatitjet e Koresë së Jugut për ndeshjen e radhës në Botëror ndaj Meksikës janë ndërprerë nga një incident i pazakontë, pasi një dron u pa duke fluturuar mbi bazën stërvitore të skuadrës aziatike. Koreja e Jugut e nisi në mënyrën më të mirë kampanjën e saj në Kupën e Botës, duke mposhtur Çekinë me rezultat 2-1.
Çekët kaluan të parët në epërsi me golin e Ladislav Krejcit në minutën e 59-të, por koreanojugorët reaguan fuqishëm falë golave të Hwang In-beom dhe Oh Hyeon-gyu. Megjithatë, pas ndeshjes u fol shumë edhe për pamjet e dobëta nga tribunat, të cilat detyruan FIFA-n të dalë me një reagim të pazakontë lidhur me numrin e ulët të tifozëve në stadium.
Tani Koreja e Jugut synon të marrë kreun e grupit me një fitore ndaj Meksikës, por përgatitjet për këtë sfidë janë prishur nga incidenti me dronin. Sipas raportimeve të BBC-së, droni është kapur dhe rrëzuar nga ushtria meksikane, duke ngritur dyshime për një tentativë të mundshme spiunazhi gjatë stërvitjes.
Trajneri Hong Myung-bo e quajti ngjarjen të pafat, por tha se nuk e kishte dëmtuar shumë ekipin. “Nuk na ndikoi ndjeshëm, por ndodhi në një moment shumë të rëndësishëm të përgatitjeve për ndeshjen, prandaj ishte diçka e pafat”, deklaroi ai në konferencë për media. Ky nuk është incidenti i vetëm që ka shoqëruar Korenë e Jugut në këtë Botëror.
Lojtarët thuhet se kanë ndaluar komunikimin me mediat koreane jashtë detyrimeve zyrtare të FIFA-s, pasi disa komente ndaj Son Heung-min u kapën nga kamerat. Për pasojë, disa intervista të planifikuara me futbollistët janë anuluar. Rastet e dyshimeve për spiunazh në futboll nuk janë të reja.
Në vitin 2024, kombëtarja e femrave të Kanadasë u akuzua se kishte përdorur dron për të vëzhguar stërvitjen e Zelandës së Re para ndeshjes hapëse në Lojërat Olimpike të Parisit. Më vonë, edhe Southampton u përfshi në një rast tjetër spiunazhi ndaj rivalëve të Championshipit, gjë që i kushtoi rëndë në garën për rikthim në Premierligë.
