Dibrani: Të burgosurit e parë nga Danimarka pritet të vijnë në mesin

0%

Shpërndaje në: Të burgosurit e parë që do të transferohen nga Danimarka në Kosovë pritet të mbërrijnë në mesin e vitit 2027, ka bërë të ditur drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani.

Sipas tij, Qendra e Paraburgimit në Gjilan ka nisur nga sot procesin e përshtatjes sipas sistemit danez të burgjeve, në kuadër të marrëveshjes mes Kosovës dhe Danimarkës, e cila ka hyrë në fuqi në qershor të vitit 2024. “Planifikimi është që në prillin e vitit 2027 të burgosurit nga Danimarka të vijnë, por varet nga punimet dhe nga koha atje.

Po shpresojmë që jo më gjatë se mesi i vitit 2027 të pranohen të burgosurit e parë”, ka thënë Dibrani në “60 Minuta” të KTV-së. Ai bëri të ditur se në qendrën në Gjilan po ndërtohen punëtori për të burgosurit që do të punësohen, ndërsa paralajmëroi edhe investime të tjera në logjistikë dhe teknologji, në përputhje me standardet e sistemit danez të burgjeve.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Dibrani u shpreh se zyrtarët korrektues që do të punojnë në këtë qendër po trajnohen në Danimarkë për t’u përshtatur me rregullat e shërbimit danez. Sipas tij, grupi i parë tashmë e ka përfunduar trajnimin, ndërsa grupi i dytë është duke e ndjekur atë. “Ky staf do të paguhet si pjesa tjetër e zyrtarëve të Shërbimit Korrektues që punojnë në burgjet e tjera.

Trajnimi më shumë është mbajtur për t’i mësuar rregullat e shërbimit danez”, ka thënë ai. Sipas Dibranit, në Kosovë do të transferohen të burgosur nga shtete të treta, të cilët nuk do të kenë dënime më të rënda se 10 vjet. Ai theksoi se në këtë program nuk do të përfshihen persona të dënuar për terrorizëm apo ata me probleme të rënda shëndetësore.

Kosova do t’i përfitojë rreth 210 milionë euro nga kjo marrëveshje, ndërsa Dibrani ka bërë të ditur se 5 milionë euro tashmë janë derdhur në buxhetin e Kosovës. Dibrani shtoi se, pas transferimit të të burgosurve nga Gjilani në institucionet e tjera korrektuese, në burgjet e Kosovës janë edhe rreth 400 vende të lira, nga rreth 800 sa kanë qenë më herët.

“Kemi mjaftueshëm vende të lira”, u shpreh ai.

Burimi: Koha