Revolucioni i vonuar shqiptar!

0%

Historia politike e Shqipërisë pas vitit 1990 është historia e një tranzicioni të papërfunduar. Komunizmi ra, por demokracia nuk arriti të ndërtonte institucione të forta dhe një shtet që t’u shërbente qytetarëve. Shpresa e viteve ’90 u zëvendësua nga zhgënjimi, korrupsioni, polarizimi dhe kapja graduale e institucioneve.

Kriza e vitit 1997 tregoi se sa e brishtë ishte demokracia shqiptare. Kolapsi i skemave piramidale nuk rrëzoi vetëm ekonominë; ai rrëzoi besimin e qytetarëve te shteti. Shqipëria u gjend pranë shpërbërjes dhe pagoi një çmim të lartë.

Fatkeqësisht, tranzicioni nuk prodhoi vetëm institucione të dobëta; ai prodhoi edhe një kulturë politike ku pushteti shpesh u vendos mbi ligjin dhe mbi interesin publik. Breza të tërë shqiptarësh kanë jetuar nën hijen e liderëve që kanë polarizuar shoqërinë dhe kanë lënë plagë të thella në zhvillimin demokratik të vendit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sot, shumë qytetarë besojnë se Shqipëria ndodhet përballë krizës më serioze të tranzicionit. Ata shohin një shtet ku pushteti është përqendruar në pak duar, ku administrata, ekonomia dhe media ndikohen nga qeveria në një masë të paprecedentë dhe ku kufiri midis interesit publik dhe interesit privat është bërë gjithnjë e më i paqartë.

Për shumë shqiptarë, kjo krizë nuk kufizohet vetëm brenda territorit të Shqipërisë. Ata e lidhin atë edhe me raportin e Tiranës zyrtare ndaj Kosovës. Është një paradoks historik që shtetin e dytë shqiptar në Ballkan nuk e ndërtoi shteti shqiptar, por sakrifica e shqiptarëve te Kosovës te etshëm per liri te ndihmuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e NATO-s.

Në këtë klimë lindi ajo që është pagëzuar Revolucioni i Flamingove. Fillimisht u duk si një protestë simbolike. Sot po shndërrohet në një lëvizje qytetare që synon të sfidojë kulturën e pandëshkueshmërisë, korrupsionit dhe arrogancës së pushtetit.

Flamingoja u bë simboli i një reagimi që nuk mund të përkufizohet më vetëm si protestë mjedisore; ajo përfaqëson revoltën ndaj mënyrës së qeverisjes. Kjo lëvizje nuk mbështetet vetëm në Shqipëri. Ajo ka gjetur jehonë në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi dhe në diasporën shqiptare. Për shumë prej tyre, çështja nuk është vetëm Zvërneci apo Sazani.

Çështja është nëse pasuritë kombëtare mund të trajtohen si pronë e përkohshme e pushtetit politik. Debati ka kaluar kufijtë shqiptarë.

Senatori amerikan John Ossoff ka ngritur pyetje publike mbi mënyrën se si u trajtua projekti i investimit të Jared Kushner në ishullin e Sazanit, duke vënë në dyshim nëse procedurat e përshpejtuara dhe statusi i investitorit strategjik do t’i ishin ofruar një investitori pa lidhje familjare me Presidentin e SHBA-së.

Eurodeputetja Tineke Strik ka paralajmëruar se mënyra e trajtimit të zonave të mbrojtura si Sazani dhe Zvërneci, së bashku me problemet e sundimit të ligjit, mund të ndikojnë negativisht në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Në raportet e Parlamentit Evropian përsëriten prej vitesh shqetësime lidhur me korrupsionin, pavarësinë e gjyqësorit, lirinë e medias dhe funksionimin e institucioneve demokratike. Edhe organizata Reporterët pa Kufij ka ngritur vazhdimisht shqetësime për klimën mediatike dhe presionin ndaj gazetarëve.

Qendra të njohura studimore në SHBA dhe Evropë kanë publikuar analiza ku argumentojnë se korrupsioni sistematik dhe dobësitë e shtetit ligjor vazhdojnë të pengojnë zhvillimin demokratik të Shqipërisë dhe integrimin e saj të plotë euroatlantik.

Ndërkohë, kongresmeni amerikan Joe Wilson ka paraqitur një amendament në Kongresin e SHBA-së që kërkon vlerësimin nga agjencitë amerikane të inteligjencës të shkallës së trafikimit të drogës në Shqipëri dhe të çdo roli të mundshëm të strukturave shtetërore në lehtësimin ose mundësimin e tij.

Nëse miratohet, ky do të ishte një zhvillim me rëndësi politike dhe institucionale për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Asnjë qeveri nuk duhet të ketë frikë nga kritika. Por çdo qeveri duhet të ketë frikë nga humbja e besimit të qytetarëve. Revolucionet nuk lindin nga sloganet. Ato lindin kur shumica e njerëzve arrin në përfundimin se sistemi nuk i përfaqëson më.

Nëse Revolucioni i Flamingove do të jetë një episod kalimtar apo fillimi i një epoke të re politike, këtë do ta vendosin qytetarët shqiptarë. Por një gjë tashmë është e qartë: debati për demokracinë, korrupsionin dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri ka dalë nga kufijtë kombëtarë. Ai është bërë pjesë e agjendës ndërkombëtare.

Dhe, siç na përkujton Dritëro Agolli, mjafton një i çmendur për të çmendur një vend. Por historia na mëson gjithashtu se mjaftojnë edhe qytetarët e lirë për ta kthyer atë në rrugën e arsyes.

Burimi: Bota Sot