Belgjika do të përballet sonte me Spanjën në një çerekfinale që premton shumë. Sigurisht që Spanja shihet si favoritja kryesore për të shkuar në gjysmëfinale, por Belgjika ka treguar këtë Botëror që është një ekip i konsoliduar dhe mund të vërë në vështirësi çdo kundërshtar.
Trajneri i belgëve, Rudi Garcia, nuk e fsheh respektin dhe vlerësimin e madh për Spanjën, por nuk i përjashton aspak shanset e Belgjikës për të arritur në gjysmëfinale. Garcia i ka idetë e qarta, nëse Belgjika do të luajë vetëm në mbrojtje, është e sigurt që Spanja do t’i eliminojë. “Ne nuk do të mbrohemi vetëm; nëse e bëjmë këtë gjë, ata do të na eliminojnë.
Ne mund të shënojmë gola, e kemi provuar këtë. Ne kemi shanset tona. Shumë na konsiderojnë të eliminuar, por unë kam shumë besim tek vetja dhe tek ekipi, se do të jemi në gjysmëfinale. Do të përballemi me një ekip më të fortë se ne, por do të luajmë me gjithë zemër dhe shpirt për të vazhduar rrugëtimin në këtë Botëror.
Të gjithë janë në gjendje të mirë fizike, përveç Amadou Onana, që është një humbje e madhe për ne. Kam dy formacione titullarësh në mendje: atë që do të fillojë ndeshjen dhe atë që do të përfundojë. Dhe kam një plan…”, tha Rudi Garcia, në konferencën e fundit për shtyp para përballjes së sotme.
