Selektori i Argjentinës, Lionel Scaloni, po shqyrton mundësinë që për herë të rrallë të mos bëjë ndryshime në formacionin titullar për ndeshjen çerekfinale të Kampionatit Botëror kundër Zvicrës së kapitenit Granit Xhaka, e cila luhet të dielën (03.00) në Kansas City.
“Stërvitja e zhvilluar me dyer të mbyllura nuk dha konfirmime përfundimtare, por tregoi se selektori argjentinas është i kënaqur me paraqitjen e ekipit në fitoren spektakolare ndaj Egjiptit dhe po mendon ta ruajë të njëjtin formacion.
Gjatë tetë viteve në krye të Argjentinës dhe në 101 ndeshje, Scaloni vetëm tri herë ka vendosur të përsërisë të njëjtin njëmbëdhjetësh nga një ndeshje në tjetrën. Kjo ndodhi nga çerekfinalja në gjysmëfinale e Kupës së Amerikës 2019, në dy miqësoret ndaj Panamasë dhe Curaçaos pas triumfit në Botërorin e Katarit, si dhe nga gjysmëfinalja në finalen e Kupës së Amerikës 2024.
Pas rikuperimit nga përmbysja historike 3:2 ndaj Egjiptit, në kampin argjentinas nuk ka probleme serioze me lëndime, përveç lodhjes normale pas një ndeshjeje me intensitet të lartë. Scaloni beson se skuadra funksionoi mirë, ndërsa synon të përmirësojë vetëm fazën mbrojtëse, pasi kundërshtarët krijuan rrezik në kundërsulme”, ka shkruar media argjentinase “Clarin”.
“Zvicra pritet të jetë një rival më i organizuar taktikisht, me karakteristika të ngjashme me Austrinë, por me më shumë cilësi teknike. Megjithatë, zviceranët mund të jenë pa talentin 20-vjeçar Johan Manzambi, i cili është dëmtuar në gjurin e majtë. Edhe pse pati diskutime për formën e Rodrigo De Paul, Nahuel Molina dhe Julian Alvarez, gjithçka tregon se Scaloni do t’u besojë sërish atyre.
Formacioni i mundshëm i Argjentinës është: Emiliano Martinez; Molina, Cristian Romero, Lisandro Martinez, Nicolas Tagliafico; Leandro Paredes, Rodrigo De Paul, Alexis Mac Allister, Enzo Fernandez; Lionel Messi dhe Julian Alvarez”, ka shkruar media argjentinase.
Vendimi përfundimtar pritet të merret pas stërvitjes së fundit, ndërsa Scaloni do të dalë edhe në konferencë për media para sfidës me Zvicrën.
