Ishe më e fortë se shkëmbinjtë dhe kreshtat e Moknës

0%

Ishe më e fortë se shkëmbinjtë dhe kreshtat e Moknës. Ashtin me asht, shumë herë, nga balta e pluhuri e ke pastruar. Dhembje pas dhembjeje ke përjetuar, por si lis me degë ke qëndruar. Ditën e kryerjes së shërbimit ushtarak, kur hienat e vranë Hakiun, ia puthe ballin, ia ledhatove duart para rrugëtimit të tij të fundit. Lotët e tu, valë, mbi trupin e tij ende të njomë ranë.

Ofshave thellë dhe the: “Biri im, të gjithë e dinim që kjo ishte ushtri dreqi dhe e huaj, që vetëm në arkivole na do.” Ishe e dashur dhe fisnike. Për ta ruajtur nderin e familjes dhe të burrit, të gjithë i trajtoje si djalin tënd të vetëm, që ta rrëmbeu mërgimi katran i zi. Shtatshkurtër, por me zemrën oqean, kishe vlerën e diamantit. Porsi flutur, i kryeje rangët e shtëpisë.

Në fushat te Poillat, me drapër, korrje grurin, e në arat te Bregu zhvishje misrin. Shpesh thoshe me shaka: “Duhet ditur kur dimri është dimër e vera verë.” Në vek endje pëlhurën e thurje të gjitha llojet e veshjeve kombëtare. Në bjeshkë, si bleta që mbledh nektarin, çdoherë dilje e para në qethjen e deleve dhe në mbledhjen e bulmetit. Me Deltarin edhe bukën e gojës e ndaje.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Thoshe: “Është më besnik se shumë burra.” Lulet i kishe pikë të dobët; i doje dhe i kultivoje. Luteshe që dielli t’i ngrohte, qielli t’ua shuante etjen dhe bryma të ishte e mëshirshme me to. Ishe njohëse e vërtetë e bimëve endemike dhe e atyre shëruese. Edhe pse u ballafaqove me ortekë bore, rrufe e stuhi, asnjëherë nuk u gjunjëzove, e as nga goja jote nuk doli fjalë e ligë.

Ishe nënë e vërtetë shqiptare, me rrënjë nga Kabashi i Podgurit, shumëfish më e fortë se guri e druri.

Burimi: Bota Sot