Shpërndaje në: Martin Odegaard dhe Declan Rice po paraqiten në Kupën e Botës pas shkëlqimit me Arsenalin. Odegaard dhe Rice ishin figura të rëndësishme në kampanjën e Arsenalit që përfundoi me titullin e parë të Anglisë pas 22 vjetësh. Për më tepër arritën në finale të Championsit ku u ndalën nga PSG. Odegaard dhe Rice tani synojnë trofe edhe më të madh. Por këtë herë janë kundërshtarë.
Norvegjia e Odegaardit dhe Anglia e Rice takohen të shtunën prej orës në çerekfinale të Botërorit. Dy 27-vjeçarët kanë shkëlqyer edhe në përfaqësueset e tyre. Kapiteni dhe organizatori kryesor i lojës së Norvegjisë, Odegaard, është shumë me ndikim.
Ai dikton ritmin e lojës së Norvegjisë, duke përdorur intelegjencën e jashtëezakonshme të futbollit dhe llojllojshmërinë e pasimeve, shkruan FIFA. Odegaard ka bërë tri asistime tashmë. Pos për anën teknike, shquhet edhe për angazhimin. Ka bërë plot 229 sprinte, si asnjë tjetër te Norvegjia. Po ashtu ka kaluar 47,5 kilometra. Është i dyti për këtë te Norvegjia, pas Sander Berge.
I vlerësuar udhëheqës shembullor, Odegaard ka ndihmuar në nxitjen e frymës ekipore. Dhe Norvegjia është në Botërorin e saj më të mirë në histori. Odegaard pas fitoreve mori daullen dhe udhëhoqi festën tashmë të famshme “Viking Row”. Kjo festë është bërë ikonike. Odegaard është edhe kapiten i Arsenalit.
“Ai është një nga djemtë më të mirë që kam parë sa i takon mënyrës së jetës jashtë futbollit”, kishte thënë Rice për kapitenin e tij në skuadër. “Ai ka respektin e plotë në zhveshtoren e Arsenalit, për atë se sa kërkues është, si e drejton ekipin, si flet. Nuk mund të kërkosh për kapiten më të mirë”. Admirimi i Rice për Odegardin është i qartë si kristali.
Por të shtunën në Miami, Declan Rice do të jetë i angazhuar për të kufizuar lojën e norvegjezit. Ylli i Anglisë luan më i tërhequr në mesfushë, ndërsa Odegaard është më i avancuar. Rrjedhimisht do të ketë përballje mes tyre. Rice ishte prej më të mirëve të Anglisë në këtë Botëror. Pozicionimi i duhur, energjia e pashtershme dhe shpirti garues janë prej cilësive të Declan Rice.
Ai ofron siguri për lojtarë si Jude Bellingham e Harry Kane, që sulmojnë kundërshtarët. Edhe pasimet e Rice ishin të shkëlqyera, me saktësi prej 91 për qind në 171 tentimet që kishte. Ai shquhet edhe për goditjet standarde. “Rice jep gjithçka për ekipin. Ai gjithmonë lufton për çdo top. Ofron energji në fushë dhe shtyn topin para.
Ai mund të mbrohet, të sulmojë, të jetë fizik dhe i mirë me topin. Është lojtar i kompletuar, kështu që do të jetë test i madh për të gjithë ne”, ka thënë Odegaard për bashkëlojtarin e tij tek Arsenali. Për përzgjedhësin e Anglisë, Thomas Tuchel, Rice është prej mesfushorëve më të mirë në botë. Rice e Odegaard arritën synimin e madh me Arsenalin.
Më shumë se Arsenali, për lavdi po pret Anglia. Kanë kaluar 60 vjet që kur anglezët e shijuan lavdinë e fundit në Botëror. Norvegjia ndërkohë në Botëror së fundi ishte në vitin 1998. Të shtunën Rice e Odegaard do të përballen direkt, derisa angazhohen për të shkruar më shumë histori për vendet e tyre.
Dhe dueli mes bashkëlojtarëve të Arsenalit mund të jetë vendimtar në ndeshjen Norvegji – Angli.
