Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti do të zhvillojë sot takime të ndara me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në kuadër të konsultimeve për formimin e institucioneve të reja të vendit.
Takimi me Hamzën do të mbahet në orën , ndërsa ai me Abdixhikun në orën , të dy në ambientet e Kuvendit të Kosovës. Takimet vijnë pasi Kurti u ka dërguar letër për takim kryetarëve të PDK-së, LDK-së dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, gjë që është konfirmuar nga zëdhënësi i Qeverisë, Fatlum Jashari.
Ftesat janë dërguar një ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se partia e tij i është përgjigjur pozitivisht ftesës dhe është e gatshme të zhvillojë takimin. Ai theksoi se dialogu duhet të fokusohet fillimisht në programin qeverisës, prioritetet dhe sfidat e vendit, e jo në ndarjen e posteve.
Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka konfirmuar pjesëmarrjen në takim, duke theksuar se do të shkojë me vullnet të mirë për të dëgjuar propozimet e Lëvizjes Vetëvendosje dhe për të kontribuar në shmangien e zgjedhjeve të reja. Ai njoftoi se do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të PDK-së dhe AAK-së për të kuptuar qëndrimet e tyre.
Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka refuzuar ftesën për takim. Kryetari i saj, Ardian Gjini, publikoi letrën zyrtare drejtuar Kurtit, ku thuhet se Aleanca nuk e sheh të nevojshëm një takim të tillë, duke mbetur në qëndrimin e shpallur më 26 qershor.
Sipas saj, mbështetja për krijimin e institucioneve mbetet e kushtëzuar me pranimin e gjashtë pikave të ofertës së prezantuar më herët. Sipas rezultateve të certifikuara të zgjedhjeve të 7 qershorit, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 47.13 për qind të votave dhe 53 ulëse në Kuvend.
Partia Demokratike e Kosovës ka siguruar 19.44 për qind, përkatësisht 22 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 16.69 për qind dhe 18 ulëse, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 6.74 për qind dhe shtatë deputetë. Komunitetet joshumicë kanë siguruar gjithsej 20 ulëse në Kuvend.
