Pas përgjigjes së PDK-së dhe LDK-së, analisti tregon çfarë mund të

0%

Udhëheqësit e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) i janë përgjigjur pozitivisht ftesës për takim të dërguar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në kuadër të përpjekjeve për të diskutuar zhbllokimin e situatës politike dhe funksionalizimin e institucioneve.

Ndërkohë, ndryshe nga dy partitë më të mëdha opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka refuzuar ftesën, duke mos pranuar të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Kurti.

Takimi pritet të shërbejë si një mundësi për dialog ndërmjet forcave politike, në një kohë kur vendi vazhdon të përballet me ngërç institucional dhe nevojën për gjetjen e një zgjidhjeje për funksionalizimin e institucioneve.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Analisti Agim Rexhepi në një prononcim për “Bota sot”, e ka vlerësuar si veprim të përgjegjshëm dhe shtetëror ftesën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për takim me liderët e partive opozitare. Ai tha se në kohë sfidash politike, dialogu është rruga e duhur dhe se refuzimi i tij nuk i shërben interesit të qytetarëve.

Sipas Rexhepit, edhe opozita ka përgjegjësi të kontribuojë në funksionalizimin e institucioneve, ndërsa shprehu pritjen që takimet të krijojnë një klimë më konstruktive politike. “ Unë besoj se iniciativa e kryeministrit në detyrë Albin Kurti për t’i ftuar në takim liderët e partive opozitare është një veprim i përgjegjshëm, shtetëror dhe në përputhje me frymën demokratike.

Kur vendi përballet me sfida të rëndësishme politike dhe institucionale, detyra e liderit të forcës së parë politike është të krijojë hapësirë për dialog dhe jo për përplasje. Kryeministri Kurti e ka bërë pikërisht këtë. Ai ua ka zgjatur dorën partive opozitare, duke treguar se interesi i Republikës së Kosovës është mbi interesat e ngushta partiake. Tani topi është në fushën e opozitës.

Përkundrazi, pjesëmarrja në takim është shenjë e respektit për institucionet dhe për vullnetin e qytetarëve. Lëvizja Vetëvendosje ka dalë fituese e zgjedhjeve dhe ka marrë mbështetjen më të madhe qytetare.

Ky besim e obligon të ndërmarrë iniciativa për funksionalizimin e institucioneve, por njëkohësisht edhe partitë e tjera kanë përgjegjësi që të kontribuojnë në gjetjen e zgjidhjeve dhe të mos mbajnë vendin peng të kalkulimeve politike. Pres që këto takime të krijojnë një klimë më konstruktive.

Ndoshta nuk do të kemi marrëveshje të menjëhershme, por vetë fakti që palët ulen për të biseduar është një hap përpara. Demokracia nuk funksionon me bojkote të përhershme, por me dialog, argumente dhe përgjegjësi institucionale”, tha ai.

Rexhepi theksoi se Kosovës i duhen stabilitet politik, institucione funksionale dhe vazhdim i reformave, duke shtuar se qytetarët presin rezultate e jo përplasje politike. Ai shtoi se pasi opozita iu përgjigj pozitivisht ftesës së Kurtit, mund të gjendet një zgjidhje institucionale në përputhje me Kushtetutën, ndërsa fituesi i vetëm duhet të jetë shteti dhe qytetarët e Kosovës.

“Kosova sot ka nevojë për stabilitet politik, institucione funksionale dhe vazhdim të reformave që kanë forcuar shtetin, kanë luftuar korrupsionin, kanë rritur transparencën dhe kanë përmirësuar pozitën ndërkombëtare të vendit. Këto arritje nuk duhet të zbehen nga përplasjet politike. Qytetarët nuk presin deklarata të pafundme, por presin rezultate.

Ata presin që politika të sillet me maturi dhe përgjegjësi. Për këtë arsye, ftesa e kryeministrit Kurti është një mundësi që të gjitha partitë të dëshmojnë se interesi shtetëror është mbi interesin partiak Pasi opozita iu përgjigjet pozitivisht kësaj ftese dhe hyn në proces me vullnet të sinqertë, besoj se ekziston mundësia për të gjetur një rrugëdalje institucionale në përputhje me Kushtetutën dhe me vullnetin e qytetarëve.

Në fund të fundit, fituesi më i madh duhet të jetë Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj, e jo interesat e ngushta politike”, përfundoi ai.

Burimi: Bota Sot