QKUK-ja sërish pa kontratë të rregullt për sigurimin fizik

0%

Nga: Arianita Hoti Shpërndaje në: Tenderi i rishpallur për sigurimin fizik të objekteve të QKUK-së ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, pasi një operator ekonomik ka paraqitur ankesë ndaj vendimit për shpalljen e fituesit.

Si pasojë, QKUK-ja është detyruar të sigurojë shërbimin përmes një kontrate të negociuar Tenderi i rishpallur për sigurimin fizik të objekteve të QKUK-së nuk po arrin të zhbllokohet. Edhe pas shpalljes së operatorit fitues, procedura ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, pas ankesës së një operatori ekonomik.

Operatori ankues, SIG Sh.P.K., pretendon se operatori ekonomik i shpallur fitues nuk i ka përmbushur kërkesat e përcaktuara në dosjen e tenderit. “Në dosjen e tenderit janë kërkuar gjithsej 1.295.769.6 orë për 36 muaj, si dhe në muaj i bie që të jenë 35.993.60 orë në muaj. Ky OE nuk i ka kalkuluar këto orë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ky OE ka kalkuluar vetëm 184 punëtorë sipas analizës financiare të tyre, që i bie 184 punëtorë shumëzuar me 176 orë mesatare në muaj është e barabartë me 32.384 orë në muaj, e jo sipas përshkrimit të çmimit prej 35.993.60, apo prej 1.295.769.6 orë për 36 muaj. Ky OE ka bërë devijim të orëve të punës prej 3.612.60 orë në muaj apo 130.053.60 orë për 36 muaj.

Nëse i konvertojmë këto orë të punës, të cilat nuk i ka kalkuluar, i bie që ju ka shmangur 20 punëtorëve në muaj”, thuhet në ankesën e operatorit ankues : OE ANKUES “SIG Sh.P.K” Sipas operatorit ankues, mospërputhje ka edhe në përllogaritjen e pagesës për punën gjatë fundjavave.

Në ankesë është theksuar se operatori fitues ka llogaritur 48 orë mesatare pune në muaj, në vend të 50.15 orëve, duke krijuar një devijim prej 3.05 eurosh për secilin punëtor. Po ashtu, në ankesë pretendohet se janë kalkuluar gabimisht edhe shtesat për punën gjatë natës dhe fundjavave.

“Ndërrimi prej 24 h, prej deri në janë orë të natës, që realisht i bie që të jetë prej 176 h/3 ndërrime është i barabartë me 58.67 orë të natës për punëtor. 58.67 orë të natës shtesë për një punëtor shumëzuar me 0.85 euro orë të natës shtesë është e barabartë me 50.00 euro shtesë të ndërrimit të natës për një muaj.

Ky OE ka kalkuluar gabimisht orët shtesë të natës për një punëtor në muaj prej 35.13 eurosh. Ky OE gjithashtu vikendet i ka kalkuluar gabimisht prej 18.96 euro që realisht është dashur të kalkulohen prej 71.23 euro në muaj, që i bie devijimi të jetë i madh prej 52.27 eurosh në muaj”, thuhet në ankesë.

Tenderi për sigurimin fizik të objekteve të QKUK-së ka vlerë rreth 6 milionë euro dhe parashikon ofrimin e shërbimeve për periudhë 36-mujore. Nga shkurti deri në korrik të këtij viti, sigurimi fizik është realizuar përmes një kontrate emergjente pesëmujore me vlerë rreth 1 milion euro, e lidhur me një operator tjetër.

Të enjten, për shkak se tenderi i rregullt është bllokuar në OSHP-ja, QKUK-ja ka lidhur kontratë të negociuar me një operator tjetër ekonomik, me kohëzgjatje gjashtë muaj dhe me vlerë prej 836 mijë eurosh.

Edhe gjatë vitit të kaluar, për të njëjtën arsye, QKUK-ja ka zhvilluar procedurë të negociuar, duke lidhur kontratë me SIG Sh.P.K., operator që tashme është ankuar, e vlera e marrëveshjes ishte 1 milion e 140 mijë euro. Kjo ishte edhe shuma minimale e përcaktuar nga QKUK-ja në atë procedurë, ndërsa të gjitha ofertat me çmim më të ulët ishin refuzuar automatikisht.

Për një muaj, vitin e kaluar sigurimin e klinikave të QKUK-së e kanë kryer 33 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, angazhim që i ka kushtuar institucionit rreth 31 mijë e 680 euro. Ndërkohë, për tri javë radhazi, rreth 280 punëtorë të sigurimit fizik, të cilët ishin të angazhuar në QKUK, kanë mbajtur grevë për shkak të mungesës së një kontrate aktive.

KOHA ka dërguar pyetje në QKUK lidhur me pretendimet e operatorit ekonomik ankues, por nuk ka marrë përgjigje të enjten.

Burimi: Koha