Nga: Donisa Fazliu Shpërndaje në: Në gjykimin ndaj të akuzuarve për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, prokurori special, Bekim Kodraliu, ka thënë se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet se të pandehurit e kanë kryer veprën penale për të cilën ngarkohen.
Ai ka bërë të ditur se ka siguruar prova që tregojnë edhe rolin e Qeverisë së Serbisë në përgatitjen e sulmit Qeveria e Serbisë pati rol kyç në përgatitjet e sulmit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, ka thënë prokurori special, Bekim Kodraliu, të enjten. Për sulmin që ka ndodhur në nëntor të 2024-s, akuzohen vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viçentijeviq si dhe Igor Dimoviq.
Prokurori ka paralajmëruar prova që tregojnë përgjegjësinë e Serbisë në sulmin ndaj infrastrukturës kritike. “Do të paraqesim prova konkrete lidhur me trajnimet dhe përgatitjet konkrete që sipas provave, janë zhvilluar në poligonin ushtarak i quajtur “Livadhet e pasulit” në Republikën e Serbisë që tashmë dyshohet se ka edhe varrezë masive, krejt kjo si pjesë e përgatitjeve të kundërligjshme.
Nga provat që kemi siguruar vërtetohet se Qeveria e Serbisë ka pasur një rol kyç në këto përgatitje”, ka thënë prokurori Kodraliu. Ai ka thënë po ashtu se ekspertët e FBI-së kanë analizuar dheun në çizmet e të akuzuarve me atë të vendit të ngjarjes.
“Ekspertët e FBI-së kanë analizuar mostrat e baltës dhe të dheut të marra nga çizmet e dy të pandehurve Jovan dhe Dragisha Viçentijevie dhe ato mostra i kanë krahasuar edhe me mostrat e dheut të siguruara në vendin e ngjarjes e po ashtu edhe në tri vende të ndryshme me qëllim që të vërtetohet saktësia e baltës së gjetur në çizmet e të pandehurve”, është shprehur Kodraliu.
Prokurori Kodraliu ka thënë se sulmi ka qenë i planifikuar dhe i organizuar, me qëllim që dëmi të ishte tejet i madh, nisur nga fakti se nëpërmjet kanalit ku janë aktivizuar eksplozivë, furnizohen me ujë të pijshëm numër i madh i komunave dhe ai shërben edhe për ftohje në KEK.
E, përfaqësues të Ibër-Lepencit, kanë thënë se, pas dëmtimit të infrastrukturës kritike nga sulmi janë detyruar të bëjnë zgjidhje teknike për të parandaluar dëmet.
“Ibër – Lepenci përveç se ka pasur një sfidë shumë të madhe në ditën e ngjarjes, ka pasur edhe rrezikime dhe frikë të krijuar për punëtorët e tij në terren pasi që shpërthimi ka qenë shumë i madh”, ka thënë Naxhie Sadiku, përfaqësuese e palës së dëmtuar, në këtë rast të Ibër-Lepencit.
Për telashet pas sulmit terrorist, në seancën e së enjtes ka folur edhe Ernest Kërçeli, drejtor i Infrastrukturës në Ibër-Lepenc. “Pas 1 ore e 20 minutave kemi mbërri në vendngjarje. Ka pasur mungesë të energjisë, nuk u ditë çka është t’u ndodh, kemi ndejtë pa gjumë 24 orë, 48 orë dhe një muaj ditë deri është sanuar”, ka thënë ai.
Por, mbrojtësit e të akuzuarve në fjalët e tyre hyrëse kanë kundërshtuar aktakuzën e Prokurorisë Speciale duke e quajtur të njëanshme e sipas tyre edhe të paligjshme. “Si është përpiluar aktakuza? Në një mënyrë të njëanshme, të palejueshme dhe të paligjshme”, ka deklaruar Nebojsha Vllajiq, avokat i të akuzuarit Jovan Viçentijeviq.
Në të njëjtën frymë është shprehur edhe avokati i të akuzuarit Dragisha Viçentijeviq, Millosh Deleviq. “Nuk e di deri kur shkalla e parë do të tolerojë që Prokuroria Speciale të paraqesë aktakuza me kësi lloj përmbajtje, të hyjnë në fuqi dhe të hyjnë në shqyrtim gjyqësor”, ka thënë Deleviq.
E Jelena Krivokapiq, mbrojtëse e të pandehurit Igor Dimoviq, ka folur për merakun që ka klienti i saj. “I mbrojturi im është koleksionues i flaktë i gjërave të vjetra, që përfshin edhe sendet të amvisërive të vjetra, të cilat janë të rralla dhe se nuk bëhet fjalë as për armë e as për pajisje ushtarake”.
Sipas dosjes së Prokurorisë, Jovan Viqentijeviq dyshohet se bashkë me vëllain e tij, Dragisha Viqentijeviq, kanë dëmtuar kanalin e ujësjellësit në fshatin Varagë të Zubin Potolut dhe kanë kryer veprën terroriste duke përdorur 20 kilogramë eksplozivë. I pandehuri Jovan Viqentijeviq akuzohet edhe për spiunazh.
