Shpërndaje në: Kryesia Qendrore e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka shprehur mbështetje për kryetarin e saj Lumir Abdixhiku, pas iniciativave për shkarkimin e tij pas dështimit në zgjedhjet e 7 qershorit. LDK-ja doli e treta sërish edhe pse shënoi rritje për tre deputetë.
Menjëherë në disa degë u kërkua dorëheqja e tij, ndërsa pas refuzimit nga Abdixhiku është iniciuar edhe një nismë e mbledhjes së nënshkrimeve për ftesë të Kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë.
Në një komunikatë për media të enjten, LDK-ja pas mbledhjes së Kryesisë Qendrore, ka bërë të ditur se ky organ e mbështet Abdixhikun në udhëheqje dhe për procesin e formimit të institucioneve “Kryesia Qendrore shpreh mbështetjen e plotë për Kryetarin e LDK-së, z.
Lumir Abdixhiku, në ushtrimin e mandatit për udhëheqjen e proceseve politike e organizative të partisë; si dhe procesin e formimit të institucioneve të Republikës nëpërmjet diskutimeve me partitë e tjera parlamentare”, thuhet në njoftimin e LDK-së. Aty është cekur po ashtu se zgjedhjet e partisë duhet të mbahen në afat të rregullt.
“Çdo çështje duhet të trajtohet në respekt të plotë të institucioneve partiake dhe të vullnetit të lirë të anëtarësisë. Kryesia Qendrore riafirmon se vendimmarrja demokratike dhe respektimi i shumicës mbeten parime të panegociueshme të organizimit tonë politik”, thuhet në njoftim.
Sa i përket rezultatit të zgjedhjeve, Kryesia e LDK-së ka thënë se “ka hapësirë për përmirësim dhe forcim të mëtejmë të organizimit dhe veprimit politik”. Po ashtu kjo parti ka thënë se rezultati nuk i përmbush synimet dhe pritjet e partisë.
Pas mbledhjes së sotme, Abdixhiku pranoi se do të shkojë në takim të ftuar nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për çështjen e formimit të institucioneve pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
