Teksa vendi është përfshirë prej 39 ditësh në revolta masive, ku kërkohet dorëheqja e Ramës, kreu i partisë “Mundësia” Agron Shehaj e cilësoi këtë reagim qytetar, revolucion. I ftuar në ‘Programin e drekës’ në News24 me Ola Brukon. Shehaj tha se protestat janë përplasje historike mes Ramës dhe qytetarëve.
Ai tha se për herë të parë pas viteve 90, populli kërkon largimin e kësaj klase politike. “Përfaqësues të qeverisë, që duhet të dëgjojnë protestuesit, më akuzojnë mua se pse shkoj në protestë. Unë shkoj prej 40 ditësh. Jam mëse i mirëpritur. Diskutoj me protestuesit. Këta që nuk i afrohen dot protestës, janë subjekt i pakënaqësisë.
Kemi të bëjmë me një përplasje historike mes një kryeministri të korruptuar dhe qytetarëve. Këta qytetarë duan largimin e kësaj klase politike, jo vetëm të Ramës. Këta të rinj këtu nuk kërkojnë një vend pune. Këtu jemi përtej kësaj, ata protestojnë jo vetëm kundër Ramës, por dhe për shëndetësinë apo arsimin që mungojnë.
Zonja, që është bërë zv.kryeministre, të kujtojë që ka dy zv.kryeministër më parë të inkriminuar. Kujdes, se mund të pësojë fatin e tyre.” , tha ai. Duke u ndalur te video që bëri xhron e rrjetit ku përfaqësues të mazhorancës luajnë murrlan në Strasburg, Shehaj tha; “Ata luajnë bixhoz, se ato ashtu janë. Luajnë në mes të Strasburgut.
Ata ishin pjesë e një delegacioni zyrtar në mes të Strasburgut. Nuk mund ta bësh, në një kohë kur je zyrtar dhe në kohë kur je në krye të detyrës. Reagimet e Ramës janë një herë me të mirë, një herë me të keq. Një herë thotë; janë iranianë, e një herë tjetër thotë se; nuk e kam thënë këtë gjë. Dje bëri një video ku i thotë protestuesve; sorra apo tradhtar.
Balla dhe Rama nxjerrin çdo ditë lista dhe merren me protestuesit. Vendet e tjera e anuluan koncertin dhe nuk u turpëruan si Rama. Kjo protestë është si ajo e 91-it. Kjo nuk është protestë e thjeshtë por është revolucion. Po vendoset për fatin e shqiptarëve sot. Duan një të ardhme tjetër, ndryshe.”.
