Një shpërthim i infeksionit me parazitin Cyclospora ka prekur qindra persona në Shtetet e Bashkuara, ndërsa dyshohet se lidhet me konsumimin e pemëve dhe perimeve të freskëta të kontaminuara. Deri më tani janë raportuar më shumë se 700 raste, ndërsa autoritetet shëndetësore po hetojnë burimin e infeksionit.
Cyclospora është një parazit që mund të kontaminojë ushqimin përmes ujit ose kontaktit me fekale njerëzore. Infeksioni shkakton një sëmundje të zorrëve të njohur si ciklosporiaza, e cila rrallë është fatale, por mund të zgjasë për disa javë. Simptomat kryesore të infeksionit janë diarreja e vazhdueshme, shpesh shumë e fortë dhe ujore, dhimbjet e barkut, fryrja dhe lodhja.
Në disa raste, simptomat mund të zhduken dhe të rikthehen pas disa ditësh. Sipas ekspertëve, ndryshe nga helmimet e zakonshme ushqimore, ciklosporiaza zakonisht nuk shoqërohet me të vjella, ndërsa diarreja mund të zgjasë për një periudhë më të gjatë.
“Shumë persona përpiqen ta kalojnë sëmundjen në shtëpi, por nëse diarreja vazhdon për disa ditë, duhet të kërkojnë ndihmë mjekësore”, ka thënë infektologia Natasha Bagdasarian.
Për t’u mbrojtur nga infeksioni, specialistët rekomandojnë larjen e mirë të pemëve dhe perimeve para konsumimit, gatimin e perimeve kur është e mundur, pasi nxehtësia e shkatërron parazitin, si dhe zgjedhjen e produkteve me sipërfaqe të lëmuar, si rrushi ose boronicat, pasi pastrohen më lehtë.
Gjithashtu, rekomandohet heqja e gjetheve të jashtme të sallatës dhe shpëlarja e mirë e pjesës që mbetet. Sipas ekspertëve, disa produkte si menta, majdanozi, qepët e njoma, boronicat dhe mjedrat kanë më shumë gjasa të mbajnë parazitin, pasi konsumohen të papërpunuara dhe janë më të vështira për t’u pastruar.
Mjekët bëjnë të ditur se shumica e pacientëve shërohen pa komplikime, por fëmijët e vegjël, të moshuarit dhe personat me sistem imunitar të dobësuar mund të kenë nevojë për trajtim me antibiotikë. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
