Inter ka vendosur ta ndalë përkohësisht ndjekjen e mbrojtësit të Chelseat, Trevoh Chalobah, pasi kampionët e Italisë aktualisht po fokusohen në prioritete të tjera të merkatos. Nga ana tjetër, Chelsea po pret largimin e Chalobah për të krijuar hapësirë dhe fonde për një ofertë zyrtare drejt Crystal Palace për mbrojtësin francez Maxence Lacroix.
Sipas raportimeve nga Italia, Inter dhe Como kanë krijuar një lloj marrëveshjeje strategjike në merkato për të shmangur një garë të panevojshme ofertash. Të dy klubet e Serie A kanë disa objektiva të përbashkët dhe nuk duan të rrisin artificialisht çmimet duke konkurruar drejtpërdrejt me njëri-tjetrin.
Presidenti i Interit, Beppe Marotta, dhe përfaqësuesi i Comos, Mirwan Suwarso, kanë zhvilluar një bisedë telefonike për të sqaruar situatën. Mes palëve është vendosur një “pakt mosagresioni”, me qëllim që të mos dëmtojnë njëra-tjetrën në treg. Në qendër të kësaj marrëveshjeje është pikërisht Trevoh Chalobah.
Como kishte bërë më herët një ofertë prej 25 milionë eurosh për mbrojtësin anglez, por Chelsea e kishte refuzuar menjëherë. Me Interin që vazhdon ta monitorojë lojtarin, Suwarso i ka kërkuar qartësi Marottas për planet e klubit zikaltër. Ai ka bërë të ditur se Como nuk ka ndërmend të hyjë në një ankand të shtrenjtë për Chalobah.
Nëse Inter vendos të hyjë fuqishëm në garë për mbrojtësin e Chelseat, Como është e gatshme të tërhiqet dhe të orientohet drejt profileve të tjera. Marrëdhënia e mirë mes dy klubeve lë të hapur çdo skenar për të ardhmen e Chalobah. Pavarësisht kësaj rruge të hapur, Inter nuk pritet të lëvizë menjëherë.
Klubi italian është i fokusuar fillimisht te përforcimi i krahut të djathtë, ku objektiv kryesor mbetet Anan Khalaili. Vetëm pasi të zgjidhet kjo çështje, Inter do t’i rikthehet repartit të mbrojtjes. Megjithatë, pista Chalobah nuk është mbyllur.
Zikaltrit po vazhdojnë kontaktet me përfaqësuesit e lojtarit për të arritur një marrëveshje për kushtet personale, para se të dërgojnë ofertën e parë zyrtare te Chelsea. Ndërkohë, Chelsea po përgatit ndryshime në mbrojtje. Klubi londinez e sheh Maxence Lacroix si një emër të rëndësishëm për repartin defensiv, por marrëveshja me Crystal Palace ende nuk është afër finalizimit.
Largimi i Chalobah mund ta përshpejtojë këtë proces, pasi Chelsea ka nevojë të shesë para se të intensifikojë ndjekjen për Lacroix. Ditët në vijim pritet të jenë vendimtare. Nëse Inter zgjidh çështjen e krahut të djathtë dhe kthehet seriozisht për Chalobah, Chelsea do të ketë mundësinë të finalizojë largimin e tij dhe të hapë rrugën për transferimin e Maxence Lacroix.
Për momentin, gjithçka është e lidhur mes tre klubeve: Interit, Chelseat dhe Crystal Palace.
