11 administratorë të angazhuar në provimin e Maturës të mbajtur më , nuk kanë vepruar në përputhje me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Ata janë larguar nga agazhimet e ardhshme në këtë provim.
Këtë e ka konstatuar Ministria e Arsimit, e cila në përgjigjet për KALLXO.com thotë se pas përfundimit të analizës së plotë të raporteve dhe të dhënave nga të gjitha qendrat e testimit, nëse evidentohen raste të tjera të shkeljeve, do të ndërmerren masa edhe ndaj administratorëve të tjerë.
“Janë identifikuar raste kur administratorët nuk kanë vepruar në përputhje me përgjegjësitë e tyre gjatë administrimit të provimit. Për këto raste, Komisioni Shtetëror i Maturës ka vendosur që administratorët përgjegjës të mos angazhohen në administrimin e provimeve shtetërore në të ardhmen.”- thuhet në përgjigjen e Ministrisë, më .
Sipas Ministrisë, 45 nxënësve u është anuluar testi i Maturës për shkak të shkeljes së rregullave të administrimit të provimit. “Gjatë administrimit të Provimit Shtetëror të Maturës janë identifikuar 34 nxënës në posedim të telefonit mobil. Në përputhje me legjislacionin në fuqi, këtyre nxënësve u është ndërprerë testimi dhe u është anuluar testi. ” – kanë thënë nga Ministria.
Kurse gjatë procesit të provimit të Maturës, 25 inspektorë të arsimit kanë qenë të angazhuar në cilësinë e kryetarëve të komisioneve. “Ndërsa, 21 inspektorë të tjerë kanë ushtruar detyrat e tyre të rregullta inspektuese.” – kanë shtuar nga Ministria.
Ministria thekson se Inspektorati i Arsimit, në përputhje me kompetencat ligjore, po shqyrton rastet e evidentuara dhe masat e parapara me legjislacionin në fuqi. Provimi Shtetëror i Maturës 2026 është organizuar në 152 qendra të testimit, ku testin e kanë paraqitur 19,514 maturantë.
Përcaktimi i nxënësve në qendrat e testimit është bërë përmes platformës eKosova, ku edhe e paraqesin provimin. “Krahasuar me vitin e kaluar, nuk ka pasur ndryshime të theksuara në mënyrën e organizimit dhe shpërndarjes së nxënësve.” – kanë treguar Ministria e Arsimit.
Përmbajtja e testit të Maturës u publikua në rrjete sociale Për vite me radhë provimi i Maturës po vazhdon të ketë probleme me ruajtjen e përmbajtjes së tij, pasi ajo po publikohet në rrjete sociale gjatë kohës sa nxënësit janë në testim.
Ministria e Arsimit ka thënë për KALLXO.com se 11 nxënësve nuk u është publikuar rezultati i provimit për shkak të publikimit të përmbajtjes së testit në rrjetet sociale. “Ministria ka pranuar informacione për publikimin e pjesëve të testit në rrjetet sociale gjatë zhvillimit të provimit. Për këto raste janë identifikuar dhe janë marrë masa ndaj nxënësve përgjegjës.
Megjithatë, raportet nga terreni tregojnë se në pjesën dërrmuese të qendrave të testimit administratorët dhe komisionet kanë kryer detyrat e tyre me përgjegjësi, duke garantuar zhvillimin e rregullt të procesit. ” – thonë nga Ministria.
Disa orë pasi ishte mbajtur provimi, Hykmete Bajrami, ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka reaguar në lidhje me raportimet për publikimin e testit të Maturës në rrjete sociale. Ajo ka kërkuar anulimin e këtij testi dhe zëvendësimin e tij me një formë tjetër të vlerësimit.
“Prandaj, është koha me e pranu realitetin: testi i maturës e ka humbë besueshmërinë dhe duhet me u zëvendësu me një sistem vlerësimi që bazohet në suksesin e arritur gjatë shkollimit fillor dhe të mesëm.” – ka shkruar Bajrami në Facebook, më .
Kur është pyetur për kërkesën e anulimit të provimit, Ministria e Arsimit ka thënë se mbetet e përkushtuar që të ndërmarrë masa shtesë për parandalimin e rasteve të tilla në të ardhmen, me qëllim të ruajtjes së integritetit, besueshmërisë dhe imazhit të Provimit Shtetëror të Maturës.
Pas tri javësh që është mbajtur provimi i Maturës, rezultatet në nivel vendi që nuk i publikoi zyrtarisht Ministria e Arsimit, i ka siguruar KALLXO.com. Sipas këtyre rezultateve, maturantët kanë arritur performancën më të mirë në Sociologji, me një mesatare prej 66.51%, e ndjekur nga Gjuha angleze me 65.01% dhe Biologjia me 61.40%.
“Në anën tjetër, rezultatet më të ulëta janë regjistruar në Matematikë me 31.83%, Kimi me 32.29% dhe Fizikë me 34.92%.” – kanë thënë nga Ministria. Ministria e Arsimit thotë se 13 mijë e 318 nxënës e kanë kaluar Provimin Shtetëror të Maturës, që përfaqëson një shkallë kalueshmërie prej 71.15%. Ndërsa, atij iu nënshtruan gjithsej 18,764 maturantë.
Vitin e kaluar provimit iu nënshtruan 18,130 maturantë, prej të cilëve testin e kaluan 12.316 apo 68.6% e tyre. Në anën tjetër, këtë vit u miratua edhe Projektligji për Maturën Shtetërore në Kuvendin e Kosovës, më .
