Mbi pasionin, pushtetin dhe puthjen

0%

Recensioni i librit The Kiss [ Puthja ] nga Katie Barclay – nga Desiderius Erasmus te Luis Rubiales, një histori kulturore e këtij gjesti tejet intim. Nga: Tiffany Watt Smith / The Guardian Përkthimi: Telgrafi.com Nëse, gjatë një udhëtimi në Evropë, ngatërroheni kur përshëndetni njerëzit – a duhet t’i puthni? sa herë? – kujtoni teologun holandez Desiderius Erasmus.

Kur vizitoi Anglinë në vitin 1499, ai gjeti një vend me njerëz jashtëzakonisht të dhënë pas puthjeve. “Kudo që të shkosh, të presin me puthje; kur largohesh, të përcjellin me puthje”, shkroi ai me habi, ose ndoshta i alarmuar.

Në kontinent, zakoni i përshëndetjes me një puthje të lehtë në buzë kishte kohë që ishte zhdukur (me shumë gjasë për arsye të etikës seksuale), por anglezët vazhdonin ta ruanin atë. Nuk kishte rëndësi nëse tjetri ishte i gjinisë së kundërt; të gjithë afronin buzët për t’u puthur.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Pavarësisht nëse ju pëlqen të putheni me pasion, me ëmbëlsi, të shkëmbeni puthje të gjata apo të oskuloni (termi shkencor), puthja duket aq e natyrshme dhe instinktive, saqë është e vështirë të imagjinohet se ajo ka një histori.

Por, ashtu siç puthja nuk praktikohet në të gjitha kulturat, historiania e emocioneve, Katie Barclay, shkruan se edhe kuptimet e saj kanë ndryshuar me kalimin e kohës.

Nga kalorësit që puthnin këmbët, te politikanët që puthin foshnjat, e deri te “puthja për të të mbyllur gojën” në komeditë romantike të Holivudit, kjo histori e pasur dhe magjepsëse na kujton se puthja është, dhe ka qenë gjithmonë, një gjest publik i debatueshëm, po aq sa një kënaqësi private.

Barclay, profesoreshë në Universitetin Makuori në Sidnei, e nis rrëfimin në Evropën mesjetare, me osculum pacis , ose puthjen e paqes. Ishte një puthje në buzë, zakonisht e shkëmbyer mes dy burrave me pushtet, që shënonte përfundimin e çdo negociate ligjore ose diplomatike (vulën përfundimtare, po të doni).

Ky ritual mbështetej në besimin mjekësor të kohës se, meqenëse fryma bart shpirtin, një puthje në buzë bënte që dy shpirtra të bashkoheshin dhe të barazoheshin. Për këtë arsye, edhe vasalët dhe zotërinjtë e tyre putheshin buzë më buzë gjatë ritualit të besnikërisë, ashtu si edhe besimtarët në kishë.

Megjithatë, kur të pasurit nisën të ankoheshin se duhej të putheshin në buzë me shërbëtorët e tyre, kishat futën në përdorim pax -in, një objekt ritual që mund të kalonte dorë më dorë dhe të puthej në vend të kësaj. Jo të gjitha puthjet simbolike ishin kaq barazimtare. Puthja e këmbës, e përdorur si shenjë nderimi, mund të shërbente edhe për të poshtëruar dhe për të nënshtruar.

Në vitin 911, kur udhëheqësi viking Rollo përfundoi një traktat paqeje me mbretin frank, atij iu kërkua të gjunjëzohej dhe t’i puthte këmbën mbretit në shenjë besnikërie. Luftëtari i tmerruar, i cili nuk do t’i përkulej asnjë njeriu, më në fund caktoi një zëvendësues për ta kryer këtë puthje vendimtare. Thuhet se vikingu zëvendësues e kapi këmbën e mbretit aq me forcë, sa e rrëzoi përmbys.

Puthjet e përditshme që Erasmusi pa në vitin 1499, duket se ishin zhdukur nga jeta shoqërore angleze në shekullin XVIII. Deri atëherë, burrat përshëndeteshin duke shtrënguar duart (ndonëse nga shumë gra ende pritej të përshëndetnin me puthje).

Megjithatë, miqtë e ngushtë meshkuj vazhdonin të përshëndeteshin me një puthje në buzë, në një epokë kur miqësia mes burrave shprehej me shumë përzemërsi.

Siç shkruan Barclay, në fund të shekullit XIX, kur puthjet e besnikërisë dhe të paqes i përkisnin tashmë një të kaluare të largët dhe kur martesa romantike po merrte gjithnjë e më shumë rëndësi, puthja në buzë u lidh pothuajse tërësisht me botën private të dashurisë dhe, veçanërisht, të seksit. Por, kjo nuk do të thoshte se puthjet u zhdukën krejtësisht nga jeta publike dhe politike.

Në vitin 1908, një shpërthim i difterisë bëri që Këshilli i Qarkut të Londrës të ndalonte lojërat me puthje në shkolla. Një valë e re këshillash për prindërimin në vitet ‘20 të shekullit XX, nxiti debate të tjera: a ishte e drejtë të putheshin fëmijët apo, siç argumentonte bihevioristi amerikan John Watson, kjo çonte në “llastim”? (“Ruhuni nga rreziqet që fshihen në puthjen e nënës”, paralajmëronte ai në vitin 1928.) Mezi mund ta imagjinoj t’i afrohem një foshnjeje të panjohur për ta puthur, por duket se kjo ishte aq e zakonshme, saqë deri në vitin 1930 nënat e ndërgjegjshme për shëndetin këshilloheshin të qëndisnin në përparësen e foshnjave të tyre paralajmërimin: “Mos më puth”.

Mbi të gjitha, shqetësimet lidhur me seksin e mbajtën puthjen në qendër të debatit. Midis dy luftërave botërore, ndërsa publiku mbushte sallat e kinemave, censura u alarmua nga paraqitjet e drejtpërdrejta të dëshirës në ekran. Në vitin 1934, Kodi famëkeq Hays ndaloi puthjet “e tepruara dhe epshore”, si edhe puthjet ndërracore dhe ato mes personave të të njëjtës gjini.

Në vitet ’70 të shekullit XX, aktivistët e të drejtave civile të homoseksualëve, në shenjë sfide, përqafuan protestat e njohura si kiss-in , duke rimarrë një vizion të jetës kuir që kishte të bënte po aq me dashurinë dhe butësinë, sa edhe me seksin.

Më vonë, gjatë epidemisë së AIDS-it dhe përmbytjes së dezinformatave mbi mënyrat e transmetimit të tij, potenciali radikal i një puthjeje u bë edhe më i madh. Sot, debati publik përqendrohet te pëlqimi.

Në vitin 2023, Luis Rubiales, ish-president i Federatës Spanjolle të Futbollit, shkaktoi zemërim ndërkombëtar kur puthi në buzë kapitenen Jenni Hermoso pas fitores së Spanjës në Kupën e Botës (ai u shpall fajtor për sulm seksual). Edhe puthja që duket më spontane mund të jetë thellësisht e ngarkuar me marrëdhënie pushteti dhe politikë.

Siç na kujton libri i Barclayt, kjo ka qenë gjithmonë kështu. The Kiss është i ilustruar me bollëk me shembuj magjepsës. Lexuesit që kërkojnë një histori rrjedhshme dhe me ritëm të shpejtë mund ta gjejnë stilin e tij disi akademik në disa pjesë, por argumenti qendror i Barclayt mbetet bindës: “Kur puthim, puthim me peshën e historisë”.

Burimi: Telegrafi