Një 60-vjeçar, punëtor i “Kosovamont” i cili pësoi lëndime të rënda në regjionin e kokës, vazhdon të trajtohet në Klinikën e Mjekimit Intensiv Qendror në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ndërsa gjendja e tij shëndetësore është stabile. Këtë e ka konfirmuar shefi i Mjekimit Intensiv Qendror, Shaqir Uka.
“Në Mjekimin Intensiv është pranuar dje një pacient nga Qendra Emergjente, ku për shkak të lëndimeve që janë shkaktuar në regjionin e kokës, është dashur t’i nënshtrohet një intervenimi kirurgjik. Pas intervenimit kirurgjik, pacienti është sjellë në Mjekimin Intensiv, ku vazhdon të marrë trajtimin mjekësor.
Lëndimet janë serioze, në regjionin e kokës, ku është dashur edhe të bëhet intervenimi kirurgjik. Gjendja e pacientit është stabile, edhe pse lëndimet janë shumë serioze ”, deklaroi Uka. Ai bëri të ditur se pacienti vazhdon të mbahet nën përkujdesje intensive.
Sipas Ukës, 60-vjeçari ndodhet ende i fjetur me barna dhe është i kyçur në aparaturat mjekësore, ndërsa po monitorohet vazhdimisht nga stafi mjekësor.
