Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka publikuar versionin e ri të Sistemit Elektronik “EDI”, i cili sjell një shërbim të ri elektronik, të quajtur “Kërkesë për Fiskalizim”, të cilin mund ta gjeni duke klikuar: https://www.atk-ks.org/njoftim-per-tatimpagues-publikohet-versioni-i-ri-i-sistemit-elektronik-edi/ Sipas ATK-së, ky shërbim është funksionalizuar në zbatim të Udhëzimit Administrativ (MF) Nr. 01/2026 për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale, Sistemeve Fiskale dhe Softuerëve Elektronikë Fiskalë, me qëllim të pajisjes së tatimpaguesve me Kodin Unik për Fiskalizim, i cili është kusht për përdorimin e Softuerit Elektronik Fiskal (SEF).
Përmes këtij shërbimi mund të aplikojnë tatimpaguesit që do të fillojnë përdorimin e SEF-it, si dhe ata që janë në proces të kalimit nga Pajisjet Elektronike Fiskale (PEF) në Softuerin Elektronik Fiskal.
“Përmes shërbimit “Kërkesë për Fiskalizim” mund të aplikojnë: tatimpaguesit që do të fillojnë përdorimin e Softuerit Elektronik Fiskal (SEF); tatimpaguesit që janë në proces të kalimit nga Pajisjet Elektronike Fiskale (PEF) në Softuerin Elektronik Fiskal (SEF)”, thuhet në njoftimin për bizneset.
Shërbimi është i qasshëm në Sistemin Elektronik EDI, në menynë “Fiskalizimi”, përmes opsionit “Kërkesë për Fiskalizim”. ATK bën të ditur se tatimpaguesit që tashmë janë pajisur me Kodin Unik për Fiskalizim do ta kenë atë të shfaqur në sistem, ndërsa ata që ende nuk e kanë këtë kod do të mund të parashtrojnë kërkesën në mënyrë elektronike përmes shërbimit të ri.
Administrata Tatimore u ka bërë thirrje të gjithë tatimpaguesve që planifikojnë të përdorin Softuerin Elektronik Fiskal, si dhe atyre që po kalojnë nga PEF në SEF, të verifikojnë statusin e tyre në Sistemin Elektronik EDI dhe, nëse është e nevojshme, të aplikojnë për pajisjen me Kodin Unik për Fiskalizim.
Sipas ATK-së, publikimi i këtij versioni të ri të EDI-së është pjesë e angazhimeve për digjitalizimin e proceseve tatimore dhe ofrimin e shërbimeve më moderne, efikase dhe më të qasshme për tatimpaguesit. /KP
