Vita Abrashi-Kajtazi Shpërndaje në: Miliarderi amerikan, Bryan Johnson, i njohur për përpjekjet ekstreme për të ngadalësuar plakjen, ka zbuluar se vuan nga një sëmundje autoimune e pashërueshme, ka shkruar The Telegraph.
Johnson, i cili ka shpenzuar miliona dollarë për eksperimente mbi trupin e tij në kuadër të projektit të tij për “jetëgjatësi”, ka thënë se është diagnostikuar me gastrit autoimun (AIG). “Stomaku im po e ha vetveten”, ka shkruar ai në rrjetet sociale. Kjo sëmundje ndodh kur sistemi imunitar sulmon qelizat e shëndetshme të mukozës së stomakut.
Ajo mund të shkaktojë mungesë të vitaminës B12, anemi dhe rritje të rrezikut për kancer në indet e inflamuara. Johnson ka thënë se synon ta kuptojë dhe ta kontrollojë sëmundjen përmes analizave të avancuara të sistemit imunitar, por pranoi se aktualisht nuk ka një kurë përfundimtare.
“Në ditët e sotit, trajtimi standard mjekësor mund të menaxhojë gjendjen, por nuk mund ta eliminojë dëmin e shkaktuar”, ka deklaruar ai. Sipërmarrësi, i cili shiti kompaninë e tij të pagesave online për rreth 800 milionë dollarë, ka investuar rreth 2 milionë dollarë në vit për analiza mjekësore, dieta, suplemente dhe procedura që synojnë të ngadalësojnë plakjen.
Ai është bërë i njohur për rutinën e tij ekstreme: stërvitje të përditshme, dhjetëra suplemente, kufizime të forta ushqimore dhe monitorim të vazhdueshëm të trupit. Në vitin 2023, Johnson eksperimentoi edhe me transfuzion gjaku nga djali i tij adoleshent, me shpresën për të rikthyer dëmtimet qelizore, por më vonë pranoi se përpjekja nuk dha rezultat.
Pavarësisht pretendimeve për përmirësime fizike, disa eksperimente të tij kanë dështuar. Në vitin 2024, një procedurë për injektimin e dhjamit në fytyrë shkaktoi një reaksion të rëndë alergjik dhe ënjtje të madhe.
