Samiti i NATO-s i mbajtur më 7 dhe 8 korrik në Ankara të Turqisë, ka rikthyer vëmendjen dhe nevojën për anëtarësimin e Kosovës në këtë Aleancë. Kosova nuk u ftua në këtë samit, pavarësisht deklarimeve të sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, se në samit mund të bashkohen 10 vendet jo anëtare.
Në anën tjetër, ekzistojnë deklarime se Kosova mund të anëtarësohet në NATO deri më vitin 2028, ndërsa ekspertët e sigurisë e shohin të mundur këtë skenar, pasi sipas tyre, FKS është e gatshme.
Ndërsa, profesori, doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, thotë se deri sa ushtria e Kosovës po aftësohet, Kosova po konsolidon standarde demokratike në zgjedhje, ligjet i ka demokratike, atëherë është e gatshme për t’u anëtarësuar. Sipas tij, pengesë e vetme janë katër vendet që nuk e njohin Kosovën.
“Dëgjoj në debatet televizive të Kosovës që të kritikohet vizita e kryeministrit Kurti në Greqi. Ndokush thotë se ai po bën pushime atje. Të tjerë thonë se vizita nuk është e nevojshme. Një diplomat injorant shtroi, Blerim Canaj, e shtronte pyetjen idiote: – Hë a e siguroi Kurti njohjen që shkoi në Athinë?!
Shkurt, më vjen turp që kolegët e mi në Kosovë kanë aq shumë mllef, aq shumë urrejtje dhe helm për të ndotur mjedisin politik në Kosovë. Kjo parahyrje më ngacmon pikërisht mendimin tim për mundësinë që Kosova të bëhet anëtare e Aleancës Atlantike.
Diplomati dhe eksperti amerikan i rajonit tonë, Daniel Serëer, është optimist se Forca e Sigurisë së Kosovës në vitin 2028, sipas parashikimit, i plotëson të gjitha kushtet për të qenë një ushtri e NATO-s. Por ai shtron pyetjen: – Sa do të punojnë dhe do të ndikojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës që katër vende anëtare të kësaj aleance ta njohin Kosovën.
Këto vende janë tashmë të njohura, përkatësisht Greqia, Spanja, Rimania dhe Sllovakia” “Derisa ushtria e Kosovës po aftësohet për të qenë pjesë e NATO-s. Derisa vetë Kosova ka konsoliduar standarde demokratike në zgjedhje dhe në ushtrimin e pushtetit. Derisa ligjet e Kosovës janë më demokratike edhe se ligjet e disa vendeve të tjera anëtare të NATO-s.
Atëherë Kosova si shtet, si institucione dhe si shoqëri, bashkë me ushtrinë e saj dhe forvcat e armatosura, janë të gatshme të bëhen pjesë e aleancës më të madhe politike dhe ushtarake të botës, pra NATO-s.
Pengesë e vetme janë katër vendet që u përmendën më lart, të cilat nuk e njohin ende shtetin e Kosovës dhe me shumë gjasa do të përdorin veton e tyre për t’i dhënë Kosovës ftesën e pranimit në NATO.
Duhet të kemi parasysh faktin se edhe nëse qeveritë e këtyre vendeve abstenojnë dhe ftesa i vjen Kosovës, ajo ftesë duhet të votohet në parlamentet e të gjitha vendeve anëtare të Aleancës Atlantike. Por nuk ka kurrëfarë sigurie se parlamentet e këtyre katër vendeve të votojnë pro anëtarësimit të Kosovës në Aleancë.
Madje mundet që edhe ndonjë vend tjetër, i cili e ka njohur Kosovën, të mos e miratojë këtë anëtarësim. Varet shumë nga rrethanat gjeopolitike dhe marrëdhëniet midis Kosovës dhe shteteve anëtare të NATO-s”, deklaron Bytyçi për “Bota sot”. SHBA sipas Bytyçit, mund t’i detyrojë vendet e Aleancës që të votojnë pro Kosovës.
Sipas tij, SHBA mund të ndërhyjnë edhe ta zgjidhin ngërçin e mosnjohjeve “Megjithatë vetëm SHBA-të mundet që t’i detyrojnë nga pikëpamja morale vendet anëtare të Aleancës që të votojnë pro Kosovës. Kjo bëhet në shumë mënyra.
Psh nëse SHBA-të, Gjermania, Britania e Madhe, Turqia etj, i kushtëzojnë marrëdhëniet e tyre së paku në një ose dy fusha të caktuara me vendet kundërshtuese, ato mund të zgjedhin ta njohin Kosovën dhe ta votojnë anëtarësimin e saj në NATO. Pra Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si fuqia më e madhe e botës dhe e vetë Aleancës, mundet të ndërhyjnë dhe ta zgjidhin ngërçin e mosnjohjeve.
Por kjo nuk do të thotë që Kosova të rrijë duarkryq. Vizitat e shpeshta të Albin Kurtit në Greqi japin shpresë se Greqia mund ta njohë shtetin e Kosovës. Marrëdhëniet e tij të mira me kryeministrin spanjoll e kanë zbutur qëndrimin e këtij vendi ndaj Kosovës. Spanja nuk deklarohet më me ashpërsi kundër pavarësisë së Kosovës. Madje ka njohur pasaportat dhe dokumentet e saj.
Edhe Rumania nuk është aq kokëfortë kundër njohjes së Kosovës. E po të arrihet njohja nga këto tri vende, nuk munden të qëndrojnë në qoshe Sllovakia dhe Qipro, e cila nuk është anëtare e NATO-s. Pra, qeveria dhe institucionet e Kosovës duhet të punojnë fort për të joshur vendet mosnjohohëse për ta bërë këtë”, shprehet profesori.
Në anën tjetër, procesi i anëtarësimit në Aleancën Atlantike, sipas Bytyçit, mund të ketë edhe situata të ndryshme, që Kosova duhet të jetë e përgatitur dhe të përcaktojë qartë prioritetet dhe të jetë e bindur për hapat që do të hedhë. “Së dyti, procesi i anëtarësimit në Aleancën Atlantike nuk është aq i thjeshtë, edhe po ta njohin Kosovën ato katër vendet mosnjohëse.
Do të ketë vende të tjera, të cilat do të kërkojnë koncensione nga Kosova në këmbim të votës së tyre pro anëtarësimit. Vetëm nëse krijohet ndonjë situatë dramatike në Europë nga pikëpamja gjeopolitike, atëherë mundet të evitohet kërkesa për kompromise e lëshime. Lëshimet mund të lidhen me dialogun me Serbinë, ose me interesat e veçanta të shteteve anëtare të NATO-s në rajon dhe në Kosovë.
Dikush mund të kërkojë monopolin e gazit, dikush tjetër të Trepçes, e kështu me radhë. Kosova duhet të jetë e përgatitur për situata të tilla, të përcaktojë qartë prioritetet dhe të jetë e bindur për hapat që do të hedhë”, thekson Bytyçi. Në fund, ai shton se Kurti nuk duhet të bie në kurthin e ngatërresarëve. “Në këto kushte me rëndësi është krijimi i institucioneve.
Sidomos zgjedhja e kreut të shtetit. Sërishmi kthehem te disa analistë e diplomatë që gjatë diskutimeve të tyre flasin vetëm për “qëllimet e Albin Kurtit” dhe jo për fakte e prova konkrete. Bëjnë sikur janë aq të zotë sa të lexojnë se çfarë mendon Albini, se çfarë ai bluan në kokën e tij. Edhe pse kur ishin në diplomaci punuan për tjetërsimin e territorit të Kosovës, së paku lobuan.
Sigurisht me urdhër të idhullit të tyre, Hashim Thaçi. Këta bëjnë orakullin në parashikimet e tyre për krijimin e institucioneve. Duan ta shtyjnë diskutimin drejt idesë së zhvillimit të zgjedhjeve të reja, për shkak, se siç thonë këta “Albini i do të gjitha pushtetet në dorën e tij”! Të verbuar thonë edhe se ai po i shti në dorë gjithashtu mediet.
Megjithëse e dinë se jo pak medie në Kosovë nuk janë vetëm në shërbim të opozitës, por edhe të pushtetit të Serbisë e madje të regjistruara në Serbisi biznese. Të gjitha këto narrativa vetëm se ndikojnë negativisht në krijimin e institucioneve. Prandaj dhe Albin Kurti nuk duhet të bie në kurthin e këtyre ngatërrestarëve. Sepse kësisoj ngatëroohet vetë Kosova !”, përfundon Bytyçi.
