Republika Demokratike e Kongos vijon të përballet me përhapjen e virusit Ebola, ndërsa autoritetet shëndetësore raportojnë rritje të numrit të rasteve dhe viktimave. Sipas të dhënave më të fundit, numri i të vdekurve ka arritur në 600, ndërsa janë konfirmuar gjithsej 1.759 raste me virusin. Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar edhe 51 raste të reja, si dhe 20 viktima.
Autoritetet po hetojnë gjithashtu dy raste të dyshuara në qytetin Kisangani, rezultatet laboratorike të të cilave pritet të përcaktojnë nëse lidhen me shpërthimin aktual. Ndërkohë, situata është ndërlikuar edhe nga problemet në sistemin shëndetësor.
Punonjësit e shëndetësisë në provincën Ituri, e cila mbetet zona më e goditur nga epidemia, kanë paralajmëruar pezullim të punës për shkak të vonesave në pagesën e pagave dhe kompensimeve. Ata thonë se nuk kanë marrë pagesat që prej shpalljes së epidemisë më 15 maj dhe se po përballen me mungesë të pajisjeve të nevojshme për trajtimin e pacientëve.
Shpërthimi aktual është shkaktuar nga varianti Bundibugyo i virusit Ebola, për të cilin ende nuk ka një vaksinë të miratuar. Ekspertët shëndetësorë vijojnë të bëjnë thirrje për forcimin e masave të kontrollit, rritjen e mbështetjes për personelin mjekësor dhe sigurimin e burimeve të nevojshme për të frenuar përhapjen e virusit. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
