Dhimbja që zbret drejt këmbës, mpirja dhe dobësia muskulore mund të jenë shenja të hernies diskale. Vlerësimi i hershëm dhe fizioterapia e përshtatur ndihmojnë në qetësimin e simptomave dhe shmangien e operacionit në shumë raste PT. Msc. Arbnor Blakaj + 383 44 762 842 Dhimbja e shpinës është një nga ankesat më të shpeshta shëndetësore, por jo çdo dhimbje lidhet me hernie diskale.
Kur dhimbja përhapet drejt këmbës dhe shoqërohet me mpirje, therje ose dobësi muskulore, vlerësimi profesional bëhet i rëndësishëm për të përcaktuar shkakun dhe mënyrën e trajtimit.
Hernia diskale dhe dhimbja e mesit Dhimbja e pjesës së poshtme të shpinës është një nga problemet më të shpeshta shëndetësore dhe një shkak i rëndësishëm i paaftësisë, mungesës në punë dhe uljes së cilësisë së jetës.
Ajo nuk është sëmundje më vete, por simptomë që mund të lidhet me faktorë të ndryshëm, përfshirë stilin sedentar të jetesës, mbipeshën, mungesën e aktivitetit fizik, si dhe faktorët profesionalë dhe psikosocialë. Rreth 40 për qind e popullatës botërore raporton se ka përjetuar dhimbje në pjesën e poshtme të shpinës gjatë gjashtë muajve të fundit.
Në shumicën e rasteve, episodi përmirësohet spontanisht ose me trajtim konservativ; megjithatë, te një pjesë e pacientëve simptomat vazhdojnë dhe kërkojnë vlerësim profesional. Hernia diskale përshkruhet si zhvendosje ose dalje e materialit të diskut nga hapësira ndërvertebrore. Më së shpeshti shfaqet në pjesën lumbale të shtyllës kurrizore, përkatësisht në fundshpinë.
Si është i ndërtuar boshti kurrizor Boshti kurrizor përbëhet nga 33–34 unaza vertebrale: 7 cervikale (qafa), C1–C7; 12 torakale (kraharori), T1–T12; 5 lumbale (fundi i shpinës), L1–L5; 5 sakrale (sakrumi), S1–S5; dhe 4–5 koksigeale (bishti). Sa u përket disqeve ndërvertebrore, zakonisht ka 23 disqe. Ato ndodhen ndërmjet unazave, nga C2–C3 deri te L5–S1.
Nuk ka disk midis C1 dhe C2 dhe nuk ka disqe ndërmjet unazave sakrale e koksigeale, sepse ato janë të bashkuara. Midis çdo unaze ndodhet një disk, i cili funksionon si amortizator. Ky disk ka dy pjesë: pjesën e jashtme, që është e fortë dhe fibroze, dhe pjesën e brendshme, që është e butë dhe me përmbajtje të ngjashme me xhelin.
Çfarë ndodh me diskun Kur shfaqet hernia diskale në një segment të caktuar të boshtit kurrizor, zakonisht ndodhin ndryshime strukturale dhe biomekanike. ▪ Humbja e lartësisë së diskut dhe ngushtimi i hapësirës ndërvertebrore: disku funksionon si sistem amortizimi.
Kur ndodh hernia, disku humb ujë, dehidratohet, pëson rënie të lartësisë dhe vertebrat afrohen me njëra-tjetrën. ▪ Kompresioni mekanik i rrënjës nervore: në disa raste, hernia prek kanalin nervor dhe ushtron presion fizik të drejtpërdrejtë mbi rrënjën nervore.
Këtu mund të fillojnë simptoma si mpirja dhe dobësia muskulore. ▪ Reaksioni inflamator: në ditët e para pacienti mund të ndiejë dhimbje të mprehtë, djegëse ose pulsuese. ▪ Instabiliteti segmentar dhe spazma muskulore refleksive: për shkak se disku i dëmtuar nuk mund t’i shpërndajë më ngarkesat biomekanike në mënyrë uniforme, segmenti vertebral bëhet më i paqëndrueshëm.
Muskujt krijojnë spazmë mbrojtëse, prandaj pacienti ndien ngurtësim dhe ka vështirësi në lëvizje ose përkulje gjatë ditëve të para. Simptomat kryesore Manifestimet klinike të hernies diskale varen nga niveli i herniacionit, madhësia e tij dhe shkalla e kompresimit të rrënjës nervore.
Në disa raste, hernia diskale mund të jetë asimptomatike, ndërsa në raste të tjera mund të shkaktojë dhimbje të forta dhe deficit neurologjik. Simptomat më të shpeshta janë: ▪ Dhimbja në fundin e shpinës: është simptoma më e zakonshme dhe shpesh shfaqet si shenja e parë e hernies diskale.
Ajo mund të jetë akute ose kronike dhe zakonisht përkeqësohet gjatë përkuljes, ngritjes së peshave, qëndrimit ulur për periudha të gjata, kollitjes ose teshtitjes, për shkak të rritjes së presionit intradiskal. ▪ Ishialgjia: kur materiali i diskut shtyp rrënjën nervore, dhimbja përhapet nga regjioni lumbal drejt pjesës së pasme ose anësore të kofshës dhe këmbës, sipas dermatomit të nervit të prekur.
Kjo dhimbje është karakteristike për kompresimin e nervit ishiatik dhe shpesh është më e fortë se vetë dhimbja e mesit. ▪ Parestezitë dhe çrregullimet sensitive: pacientët mund të përjetojnë mpirje, ndjesi shpimi gjilpërash, djegie ose ulje të ndjeshmërisë në zonën e inervuar nga rrënja nervore e kompresuar.
Këto simptoma zakonisht ndjekin shpërndarjen dermatomale të nervit të prekur. ▪ Dobësia muskulore: kompresimi i zgjatur i rrënjës nervore mund të shkaktojë ulje të forcës muskulore në gjymtyrën e prekur. Pacienti mund të ketë vështirësi në ngritjen e shputës ose të gishtave të këmbës, në ecje ose në kryerjen e aktiviteteve të përditshme.
Në raste të avancuara mund të vërehet edhe atrofi muskulore. ▪ Kufizimi funksional: dhimbja, spazma muskulore dhe dobësia neurologjike kufizojnë lëvizshmërinë e shtyllës kurrizore dhe ndikojnë negativisht në aktivitetet e përditshme, si ecja, ulja, qëndrimi në këmbë dhe ngritja e objekteve.
Pse dhimbja zbret në këmbë Dhimbja nga hernia diskale shpesh përhapet drejt këmbës, sepse materiali i diskut mund të kompresojë ose irritojë rrënjët nervore që dalin nga shtylla kurrizore lumbale. Prandaj, përveç dhimbjes, pacienti mund të ndiejë mpirje, therje, dobësi muskulore ose vështirësi në ngritjen e shputës. Shpërndarja e simptomave varet nga rrënja nervore e prekur.
Kompresioni i rrënjës L5 mund të shkaktojë dhimbje dhe mpirje në pjesën e jashtme të këmbës dhe në gishtin e madh, ndërsa kompresioni i rrënjës S1 shpesh jep dhimbje në pjesën e pasme të kofshës dhe pulpës deri te pjesa e jashtme e shputës, si dhe dobësim të refleksit të tendinit të Akilit.
Kjo përhapje e dhimbjes, sidomos kur shoqërohet me mpirje ose therje, është shenjë e rëndësishme e përfshirjes së rrënjëve nervore dhe ndihmon në orientimin diagnostik të hernies diskale. Shenjat për konsultë urgjente Në raste të rralla, kur hernia diskale shkakton kompresim të rëndë të strukturave nervore, nevojitet konsultë me neurokirurgun ose ortopedin spinal.
Shenjat që kërkojnë vëmendje të menjëhershme janë: ▪ humbja e kontrollit të urinimit ose jashtëqitjes; ▪ mpirja në zonën perineale, e njohur si “anestezia në shalë”; ▪ dobësia progresive e të dy gjymtyrëve të poshtme. Trajtimi pa operacion Në shumicën e rasteve, hernia diskale mund të trajtohet pa operacion.
Shumica e pacientëve përmirësohen me trajtim konservativ brenda disa javësh ose muajsh, veçanërisht kur terapia përshtatet me gjendjen klinike dhe ndiqet në mënyrë të rregullt. Trajtimi konservativ përfshin fizioterapi, ushtrime terapeutike, përdorimin e barnave kundër dhimbjes dhe inflamacionit, si dhe ndryshime në stilin e jetesës dhe në aktivitetet e përditshme.
Qëllimi nuk është vetëm qetësimi i dhimbjes, por edhe rikthimi i funksionit dhe ulja e rrezikut për përsëritje të simptomave. Roli i terapisë fizikale Terapia fizikale përshtatet sipas fazës së dhimbjes dhe gjendjes neurologjike të pacientit.
Në fazën akute, fokusi është qetësimi i dhimbjes, ulja e inflamacionit dhe relaksimi i spazmës muskulore; më pas, kur simptomat fillojnë të ulen, trajtimi orientohet drejt rikthimit të funksionit dhe stabilitetit të shtyllës kurrizore. Në ditët e para mund të përdoren metoda ndihmëse si TENS-i, krioterapia, termoterapia ose traksioni i lehtë, gjithmonë sipas indikacionit klinik.
Në fazën subakute dhe kronike, rëndësi më të madhe marrin terapia manuale, kineziterapia dhe edukimi i pacientit për qëndrimin, lëvizjen dhe ngarkesat e përditshme. Ushtrimet dhe teknikat Trajtimi fizioterapeutik bazohet në vlerësim të detajuar klinik dhe individualizohet sipas simptomave, fazës së sëmundjes dhe nivelit të dëmtimit neurologjik.
Teknikat dhe ushtrimet më të përdorura janë: ▪ Ushtrimet sipas metodës McKenzie (Mechanical Diagnosis and Therapy – MDT), të cilat synojnë centralizimin e dhimbjes dhe reduktimin e kompresionit mbi rrënjët nervore.
Këto ushtrime, veçanërisht ato të ekstensionit lumbal, janë efektive te pacientët me dhimbje radikulare. ▪ Ushtrimet e stabilizimit lumbopelvik, të cilat forcojnë muskujt stabilizues të trungut, si transversus abdominis, multifidus, muskujt glutealë dhe muskujt e dyshemesë pelvike.
Forcimi i këtyre strukturave rrit stabilitetin segmentar dhe zvogëlon ngarkesën mbi disqet ndërvertebrale. ▪ Ushtrimet e shtrirjes, të orientuara drejt përmirësimit të fleksibilitetit të muskujve hamstring, fleksorëve të kofshës, muskulit piriformis dhe muskujve paravertebralë.
Ato ndihmojnë në uljen e tensionit muskulor dhe në përmirësimin e amplitudës së lëvizjes. ▪ Teknikat e mobilizimit nervor, të njohura edhe si neural mobilization ose nerve gliding, përdoren për të përmirësuar lëvizshmërinë e nervit të irrituar dhe për të reduktuar simptomat radikulare. ▪ Terapia manuale përfshin mobilizimet artikulare dhe teknikat e indeve të buta, me qëllim reduktimin e spazmës muskulore, përmirësimin e lëvizshmërisë vertebrale dhe lehtësimin e dhimbjes. ▪ Ushtrimet aerobike me intensitet të ulët, si ecja, çiklizmi statik dhe ushtrimet në ujë, rekomandohen për përmirësimin e kapacitetit funksional, qëndrueshmërisë fizike dhe cilësisë së jetës.
Rezultatet më të mira zakonisht arrihen kur ushtrimet terapeutike kombinohen me edukimin e pacientit dhe, sipas nevojës, me terapi manuale ose modalitete fizikale.
Çfarë të shmanget në fazën akute Në fazën akute të hernies diskale, pacienti duhet të shmangë: ▪ ngritjen e peshave të rënda; ▪ përkuljet dhe rrotullimet e papritura të trungut; ▪ qëndrimin ulur ose në këmbë për periudha të gjata; ▪ aktivitetet fizike që përkeqësojnë dhimbjen; ▪ pushimin e zgjatur në shtrat, pasi mund ta ngadalësojë shërimin.
Rekomandohet që pacienti të mbetet aktiv brenda kufijve të tolerancës së dhimbjes dhe të ndjekë udhëzimet e mjekut ose fizioterapistit. Kur pritet përmirësimi Koha e rikuperimit varet nga madhësia dhe vendndodhja e hernies, shkalla e irritimit të nervit, mosha dhe gjendja fizike e pacientit, si dhe rregullsia në kryerjen e ushtrimeve dhe ndjekjen e këshillave të fizioterapistit.
Nëse pas rreth 6–8 javësh nuk ka përmirësim ose simptomat përkeqësohen, për shembull nëse shfaqet dobësi në këmbë ose mpirje në rritje, nevojitet rivlerësim nga mjeku specialist.
Manipulimet e shtyllës kurrizore Manipulimet e shtyllës kurrizore mund të jenë të dobishme te pacientë të përzgjedhur me dhimbje mekanike të mesit, por nuk rekomandohen në prani të kompresionit të rëndë nervor ose kundërindikacioneve të tjera. Ato duhet të kryhen vetëm pas një vlerësimi të kujdesshëm klinik dhe nga profesionistë të kualifikuar.
Kur mund të ndihmojnë ▪ te pacientët me dhimbje mekanike të mesit; ▪ kur kryhen pas një vlerësimi të plotë klinik dhe me indikacion të qartë; ▪ kur aplikohen nga fizioterapistë ose kiropraktorë të trajnuar dhe me përvojë; ▪ mund të ndihmojnë në uljen e dhimbjes, përmirësimin e lëvizshmërisë dhe reduktimin e spazmës muskulore te pacientët e përzgjedhur; ▪ përdoren si pjesë e një programi rehabilitues të kombinuar me ushtrime terapeutike dhe edukim të pacientit.
Kur mund të jenë të rrezikshme ▪ në fazën akute të hernies diskale me kompresion të rëndë të rrënjës nervore; ▪ në prani të dobësisë progresive muskulore ose deficiteve neurologjike; ▪ te pacientët me sindromën cauda equina, ku kërkohet ndërhyrje urgjente; ▪ te pacientët me fraktura vertebrale, tumore, infeksione të shtyllës kurrizore ose osteoporozë të rëndë; ▪ kur manipulimet kryhen pa vlerësim klinik ose nga persona të paautorizuar, duke rritur rrezikun e përkeqësimit të simptomave.
Parandalimi i rikthimit Megjithëse hernia diskale nuk mund të parandalohet në çdo rast, adoptimi i një stili jetese të shëndetshëm dhe zbatimi i disa masave parandaluese mund ta zvogëlojnë ndjeshëm rrezikun e zhvillimit të saj dhe të rikthimit të simptomave.
Masat kryesore parandaluese përfshijnë: ▪ ushtrime të rregullta për forcimin e muskujve të barkut dhe shpinës, të cilët stabilizojnë shtyllën kurrizore dhe ulin ngarkesën mbi disqet ndërvertebrale; ▪ ruajtjen e peshës trupore normale, pasi mbipesha rrit presionin mbi segmentin lumbal të shtyllës kurrizore; ▪ përdorimin e teknikës së duhur gjatë ngritjes së peshave, duke përkulur gjunjët dhe duke e mbajtur shpinën drejt, në mënyrë që ngarkesa të shpërndahet në mënyrë të sigurt; ▪ shmangien e qëndrimit ulur ose në këmbë për periudha të gjata, duke bërë pushime të shkurtra dhe ushtrime shtrirjeje gjatë ditës; ▪ ruajtjen e një posture të mirë gjatë punës, ecjes dhe aktiviteteve të përditshme, si dhe përdorimin e mobilieve ergonomike kur është e mundur; ▪ aktivitet fizik të rregullt, si ecja, noti ose çiklizmi, të cilat ndihmojnë në ruajtjen e fleksibilitetit dhe forcës së muskujve.
Këto masa ndihmojnë në ruajtjen e një shtylle kurrizore më të qëndrueshme dhe zvogëlojnë mundësinë e rikthimit të simptomave pas trajtimit.
