Identiteti shqiptar në mërgatë: mes rrënjëve dhe integrimit

0%

Luzern, – Në një kohë kur globalizimi dhe ritmi i shpejtë i jetës sfidojnë gjithnjë e më shumë ruajtjen e identitetit kombëtar, Misioni Katolik Shqiptar në Luzern dhe Shoqata Humanitare’’Nënë Tereza” në Zvicër organizuan mbrëmjen kulturore-tematike “Gjurmëve të rrënjëve tona”, një aktivitet që mblodhi diplomatë, akademikë, përfaqësues institucionesh, studiues, artistë, shoqata, dhe komunitetin e gjerë shqiptar në luzern dhe jo vetëm,në një reflektim të përbashkët mbi rrënjët, kujtesën dhe identitetin shqiptar në diasporë.

E udhëhequr me profesionalizëm nga moderatori Dan Morina, mbrëmja ndërthurte natyrshëm kumtesat tematike, përshëndetjet institucionale dhe programin artistik, duke përcjellë një mesazh të qartë: identiteti shqiptar nuk ruhet rastësisht, por kultivohet çdo ditë në familje, në shkollat shqipe, në komunitet dhe në jetën shpirtërore të mërgatës.

Arti si gjuha e parë e kujtesës Programi u hap me interpretimin e këngës “O Vendi Im”, sjellë me ndjenjë nga artistët Shpejtim dhe Aferdita Krasniqi. Që në tingujt e parë, atmosfera u mbush me mallin për vendlindjen, ndërsa muzika u bë ura që lidhi të pranishmit me historinë, kujtesën dhe përkatësinë kombëtare.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ishte një hyrje simbolike në temën e mbrëmjes, duke dëshmuar se rrënjët ruhen jo vetëm në libra e dokumente, por edhe në këngë, poezi, traditë dhe në kujtesën shpirtërore të një populli. Dr. Don Anton Uka: Identiteti shqiptar ndërmjet rrënjëve dhe integrimit – Integrohu pa u tretur Në fjalën përshëndetëse, Dr.

Don Anton Uka, udhëheqës i Misionit Katolik Shqiptar në Luzern dhe iniciator i kësaj mbrëmjeje, falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për praninë e tyre, duke theksuar se ajo i dha peshë dhe dinjitet aktivitetit. Ai rikujtoi se rrënjët shqiptare janë ushqyer ndër shekuj nga gjuha, besimi, kultura dhe qëndresa.

Duke cituar At Gjergj Fishtën – “Shqiptari, kur e di prej nga vjen, e di edhe nga duhet të shkojë” – ai nënvizoi se njohja e rrënjëve nuk është kthim pas, por orientim drejt së ardhmes. Dëshmia e të parëve tanë, tha ai, mbetet fara nga e cila vazhdon të lulëzojë atdhedashuria. Dr. Uka u ndal edhe te sfidat që përjeton sot diaspora shqiptare.

Sipas tij, ruajtja e kujtesës, gjuhës dhe vetëdijes kombëtare kërkon angazhim të vazhdueshëm. Integrimi nuk do të thotë të humbasësh atë që je, por të ndërtosh ura me shoqërinë ku jeton, duke ruajtur identitetin tënd. Mesazhi i tij u përmblodh në thirrjen: “Integrohu pa u tretur.”

Ai falënderoi të gjithë ata që kanë mbështetur këtë nismë, duke shprehur dëshirën që këto takime të vazhdojnë dhe të japin fryte të mira për brezat që vijnë. Diaspora – një shtyllë e kombit Në përshëndetjen e tij, Ambasadori i Republikës së Kosovës, Shkëlqësia e Tij z. Mentor Latifi e cilësoi diasporën shqiptare si një nga shtyllat më të rëndësishme të kombit.

Ai theksoi se identiteti dhe integrimi nuk janë koncepte që përjashtojnë njëri-tjetrin. Përkundrazi, sa më të forta të jenë rrënjët, aq më i suksesshëm bëhet integrimi në shoqërinë ku jeton individi.

Ambasadori vlerësoi rolin e familjes, shkollave shqipe, misioneve fetare dhe shoqatave kulturore në ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar, ndërsa iu drejtua veçanërisht brezit të ri me thirrjen që të jenë krenarë për prejardhjen e tyre dhe njëkohësisht qytetarë aktivë e të respektuar në vendet ku jetojnë.

Pas përshëndetjeve institucionale, mbrëmja vijoi me një interpretim nga Eljon dhe Shpejtim Krasniqi, atë e bir, të cilët mishëruan përmes muzikës vazhdimësinë e identitetit shqiptar nga një brez te tjetri.

Kujtesa – nyja që lidh diasporën me kombin Pas momentit artistik, mbrëmja vijoi me kumtesën e Shkëlqesisë së Tij Vehbi Myftari, Ambasador i Republikës së Kosovës në Selinë e Shenjtë (Vatikan), me temën kushtuar identitetit të mërgatës.

Duke e ndërtuar ligjërimin mbi dy koncepte themelore – kujtesën dhe harresën – ai theksoi se nyja që lidh mërgatën me kombin është kujtesa kolektive, e cila forcon identitetin gjuhësor, kulturor, fetar, etnik dhe kombëtar.

Sipas tij, kujtesa historike shqiptare është kultivuar ndër shekuj përmes traditës gojore dhe rrëfimeve për heronjtë tanë, duke u shndërruar në një garanci për mbijetesën e identitetit kombëtar.

Ai vuri në dukje se kultura e vendit pritës synon natyrshëm të përfshijë kulturat e ardhura, ndërsa përgjegjësia e komunitetit shqiptar është të prezantojë me dinjitet vlerat e veta kulturore, shpirtërore dhe kombëtare, duke kontribuar njëkohësisht në pasurimin e shoqërisë ku jeton.

Një pjesë e rëndësishme e kumtesës iu kushtua sfidës së harresës, qoftë asaj të ngadaltë, qoftë të përshpejtuar, e cila shfaqet kur hiqet dorë, me ose pa vetëdije, nga themelet e identitetit. Sipas tij, gjuha është elementi i parë që rrezikon të zbehet.

“Si të mbijetojmë duke qenë pjesë aktive e shoqërive ku kontribuojmë dhe, në të njëjtën kohë, të ruajmë identitetin tonë?” – ishte pyetja që ai shtroi para të pranishmëve. Përgjigjja, sipas tij, nuk gjendet në një model të vetëm, por në ndërtimin e një identiteti të ndërmjetëm, ku bashkëjetojnë rrënjët shqiptare dhe realiteti i vendit pritës.

Ai evidentoi si sfida erozionin e gjuhës, fragmentimin e ndjenjës së përkatësisë, presionin për integrim social e ekonomik dhe identitetin hibrid të brezit të tretë të diasporës. Në përfundim, theksoi se çelësi i suksesit është integrimi lokal me dimension global, duke i dhënë rrënjëve shqiptare një kuptim bashkëkohor dhe universal.

Arti si zë i ndërgjegjes kombëtare Dimensioni artistik vijoi me interpretimin e aktorit Xhevat Limani, i cili solli me ndjenjë një krijim kushtuar Nënë Terezës, duke risjellë mallin e saj për vendlindjen, familjen dhe rrënjët shqiptare. Përmes poezisë u krijua një urë mes mërgatës së hershme dhe asaj të sotme, duke rikujtuar se largësia gjeografike nuk e zbeh ndjenjën e përkatësisë.

Roli i gruas shqiptare në ruajtjen e trashëgimisë gjuhësore, tradicionale dhe kombëtare Një ndër kumtesat e vlerësuara të mbrëmjes u mbajt nga znj. Ermina Lekaj Perlaskaj, magjistre e së drejtës dhe këshilltare në Ministrinë e Drejtësisë së Kroacisë.

Duke u ndalur te roli i gruas shqiptare në diasporë, ajo theksoi se nëna mbetet edukatorja e parë dhe bartësja më e rëndësishme e identitetit kombëtar. “Një familje e mirë ndërtohet nga një nënë e mirë”, u shpreh ajo, duke kujtuar se në çdo periudhë historike gruaja shqiptare ka qenë jo vetëm ruajtëse e familjes, por edhe bashkëluftëtare në momentet më vendimtare të historisë sonë.

Ajo vuri në dukje se sot sfida më e madhe nuk vjen nga faktorë të jashtëm, por nga vetëasimilimi i ngadalshëm. Një nga bindjet e gabuara, sipas saj, është mendimi se fëmija integrohet më lehtë nëse në familje flitet vetëm gjuha e vendit pritës.

Studimet gjuhësore dëshmojnë të kundërtën: gjuha e nënës është themeli mbi të cilin ndërtohet mësimi i gjuhëve të tjera, zhvillohet vetëbesimi dhe forcohen aftësitë intelektuale.

Ruajtja e identitetit, theksoi ajo, fillon me veprime të thjeshta, por të përditshme: të flitet shqip në familje, të lexohen libra në gjuhën shqipe, të njihen fëmijët me historinë dhe traditat, të bëhen pjesë e shkollave shqipe, e aktiviteteve kulturore dhe të vizitojnë vendlindjen e prindërve të tyre.

Identiteti, përfundoi ajo, nuk ruhet vetëm në ditët e festave apo përmes simboleve kombëtare, por kultivohet çdo ditë me vetëdije. “Misioni ynë për Atme dhe fe” Në kuadër të promovimit të librit të Dr. Don Anton Ukës, Prof. Musa Jupolli, kryetar i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, mbajti referatin “Misioni ynë për Atme dhe Fe”.

Ai pasqyroi veprimtarinë disa vjeçare të Misionit Katolik Shqiptar në Luzern, duke vlerësuar kontributin e tij në ruajtjen e gjuhës, kulturës, identitetit kombëtar dhe vlerave shpirtërore të shqiptarëve në diasporë.

Sipas tij, libri dokumenton një mision të ndërtuar me përkushtim, i cili ka krijuar ura bashkëpunimi mes brezave dhe institucioneve, duke lënë një trashëgimi të vyer për komunitetin shqiptar. Në vijim, Dr.

Don Anton Uka ndau mirënjohje për aktivistë, vullnetarë, diplomatë, përfaqësues institucionesh dhe shoqatash, duke vlerësuar kontributin e tyre në ruajtjen e identitetit shqiptar në diasporë. Në emër të të gjithë të nderuarve me mirënjohje, znj.

Ylfete Fanaj Drejtoreshe në Departamentin e Drejtësisë në Luzern shprehu falënderimin e saj të përzemërt për këtë vlerësim, duke theksuar se ai përfaqëson një motivim për të vazhduar angazhimin në shërbim të komunitetit shqiptar dhe të vlerave tona kombëtare. Ajo falënderoi veçanërisht Misionin Katolik Shqiptar në Luzern dhe Dr.

Don Anton Ukën për vizionin, përkushtimin dhe punën e palodhur në forcimin e jetës kulturore, shpirtërore dhe kombëtare të shqiptarëve në diasporë. Programi artistik vazhdoi me interpretimin e Eljon a Bytyçit dhe Eljon Krasniqi, të cilët, përmes këngëve me motive kombëtare, sollën edhe një herë në skenë bukurinë e trashëgimisë shqiptare.

Besa, nderi dhe mikpritja – vlera të trashëguara që kanë ruajtur identitetin shqiptar ndër breza Në fjalën e tij përmbyllëse, Kryetari i Shoqatës Humanitare “Nënë Tereza”, Nue Zalli, theksoi se identiteti shqiptar është ruajtur ndër shekuj falë familjes, gjuhës, traditave, besimit, vlerave zakonore dhe morale, ndërsa sfida e sotme e shqiptarëve në diasporë mbetet ruajtja e këtij identiteti duke u integruar me dinjitet në shoqëritë ku jetojnë.

Duke sjellë si model figurën e Shën Nënë Terezës, ai nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së rrënjëve dhe të përcjelljes së identitetit kombëtar te brezat e rinj.

Në përfundim, ai falënderoi të gjithë organizatorët, pjesëmarrësit dhe kontribuuesit, duke shprehur bindjen se veprimtari të tilla forcojnë lidhjen e diasporës me atdheun dhe vlerat kombëtare Një mbyllje në ritmet e traditës Ansambli “Shqiponjat” i dha një nur të veçantë mbrëmjes me një mozaik vallesh tradicionale shqiptare, duke sjellë në skenë pasurinë e folklorit tonë dhe duke dëshmuar se kultura vazhdon të jetë një nga shtyllat më të forta të identitetit kombëtar.

“Gjurmëve të rrënjëve tona” nuk ishte vetëm një aktivitet kulturor. Ishte një dëshmi se identiteti nuk ruhet rastësisht. Ai ndërtohet me kujtesë, ushqehet me gjuhë, forcohet me kulturë, mbështetet në familje dhe përcillet brez pas brezi nga njerëz që e jetojnë me përgjegjësi misionin për të mos lejuar që rrënjët shqiptare të humbasin, kudo që shqiptarët jetojnë.

Burimi: Bota Sot