Nga: Donisa Fazliu Shpërndaje në: Misioni i OSBE-së në Kosovë ka publikuar raportin nga monitorimi i gjykimit të rasteve të krimeve të luftës në Kosovë. Në të theksohet se sigurimi i dëshmitarëve dhe provave nga jashtë Kosovës vazhdon të jetë pengesë serioze.
E, mes gjetjeve kryesore, përfshihen edhe vonesat që lidhen me mosparaqitjen e dëshmitarëve, ndryshimet në përbërjen e trupave gjykuese, çështjet që lidhen me cilësinë e qartësinë e aktakuzave Vonesat e zgjatura që lidhen me mosparaqitjen e dëshmitarëve, ndryshimet në përbërjen e trupave gjykuese, çështje që lidhen me cilësinë dhe qartësinë e aktakuzave janë disa nga gjetjet kryesore të raportit të misionit të OSBE-së, për monitorimin e rasteve të krimeve të luftës në Kosovë.
Në raportin që u publikua këtë të mërkurë, thuhet se Cilësia dhe qartësia e aktakuzave vazhdojnë të ngjallin shqetësime në raste të caktuara.
“OSBE-ja ka vërejtur mangësi në individualizimin e akuzave, veçanërisht në rastet që përfshijnë shumë të akuzuar dhe forma kolektive të përgjegjësisë, si dhe në identifikimin e rrethanave lehtësuese të njohura në kohën e ngritjes së aktakuzës”, thuhet në raport.
Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk, foli edhe për arsyet pse janë shtyrë disa seanca gjyqësore të krimeve të luftës. “Raporti reflekton rëndësinë e gjykimit të drejtë dhe një procesi që i ruan të drejtat e palëve. 1 në 5 seanca janë shtyrë nga mungesa e paraqitjes së dëshmitarëve.
Çereku i rasteve është shtyrë nga ndryshimi i panelit gjyqësor, shumë raste janë shtyrë nga e para. Zbulimi i vonuar apo vonesat në përkthim i kanë shtyrë gjysmën e këtyre rasteve”, ka thënë McGurk. Në raport është theksuar se sfidat lidhur me provat vazhdojnë të ndikojnë në drejtësinë e gjykimit.
“OSBE-ja ka vërejtur mbështetje të përsëritur në deklarata të mëparshme të regjistruara, ndonëse dëshmia e drejtpërdrejtë do t’i garantonte më mirë të drejtat e mbrojtjes.
Derisa deklaratat e tilla mund të jenë të pranueshme në situata të kufizuara, dëshmia e drejtpërdrejtë mbetet e preferueshme sa herë që është e mundur, veçanërisht në rastet e krimeve të luftës ku deklaratat e dëshmitarëve shpeshherë janë të rëndësisë qendrore për gjykimin”, thuhet në raportin e OSBE-së.
Si problematikë tjetër, raporti identifikoi edhe transportimin e të akuzuarve të paraburgosur. Aty theksohet se ka pasur raste kur i akuzuari nuk është sjellë fare në gjykatë, gjë që e ka detyruar shtyrjen e seancës. Zëvendësministri në detyrë i Drejtësisë, Genc Nimoni, deklaroi se raporti i monitorimit i OSBE-së ndihmon në rritjen e cilësisë.
“Gjatë mandatit tonë kemi themeluar Institutin për Dokumentimin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovës, hartimin dhe miratimin e strategjisë për drejtësinë tranzicionale, ndryshimin e kodit penal për gjykimin në mungesë. Ky monitorim nga OSBE-ja ndikon në ngritjen e cilësisë dhe rritjen e besimit te publiku”, ka thënë Nimoni.
E Kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Ngadhnjim Arrni, ka treguar se Departamenti Special që trajton edhe krimet e luftës, po përballet me mungesë të gjyqtarëve. “Aktualisht Departamenti Special operon me një numër më të kufizuar të gjyqtarëve sesa viteve paraprake. Ndërsa, një pjesë e stafit mbështetës ushtron funksion shtesë për shkak të mungesave ekzistuese.
Këta janë faktorët që ndikojnë në punën, ngarkesën dhe efikasitetin”, ka thënë Arrni. Në rapor thuhet se sfidat lidhur me provat vazhdojnë të ndikojnë në drejtësinë e gjykimit. “OSBE-ja ka vërejtur mbështetje të përsëritur në deklarata të mëparshme të regjistruara, ndonëse dëshmia e drejtpërdrejtë do t’i garantonte më mirë të drejtat e mbrojtjes.
Derisa deklaratat e tilla mund të jenë të pranueshme në situata të kufizuara, dëshmia e drejtpërdrejtë mbetet e preferueshme sa herë që është e mundur, veçanërisht në rastet e krimeve të luftës ku deklaratat e dëshmitarëve shpeshherë janë të rëndësisë qendrore për gjykimin”, thuhet në raport.
Në dokument theksohet se sigurimi i dëshmitarëve dhe provave nga jashtë Kosovës vazhdon të jetë pengesë serioze. “Bashkëpunimi i kufizuar rajonal, i kombinuar me shqetësimet për sigurinë e dëshmitarëve dhe përdorimin të kufizuar në praktikë të alternativave, si dëshmia përmes video-lidhjes, vazhdon të ndikojë si në ndjekje ashtu edhe në mbrojtje, si dhe ngre shqetësime lidhur me barazinë e palëve në procedurë”, theksohet aty.
Raporti identifikoi edhe se si Prokuroria Speciale duhet të ketë kujdes në vlerësimin e deklaratave të dëshmitarëve gjatë procesit gjyqësor. “Është një nga gjetjet më kryesore të OSBE-se. Jo që propozon një standard të ri për vlerësimin e dëshmive, por rikujton një parim thelbësor të procedurës penale.
Kriteret mbi të cilat vlerësohet një deklaratë e dëshmitarit”, ka thënë Ilir Morina, udhëheqës i Departamentit për hetimin e krimeve të luftës, që funksionon në kuadër të Prokurorisë Speciale. Gjatë prezantimi të tij u përmend si sfidë edhe mungesa e burimeve dhe humbja e provave. Në raport është theksuar se vërehen disa zhvillime pozitive në gjykimin e rasteve të krimeve të luftës.
“Këto përfshijnë rritjen e përfshirjes së institucioneve gjyqësore të ngarkuara me ligj me kompetenca mbi procedurat para Departamentit Special, numër në rritje të rasteve të përfunduara gjatë periudhës së raportimit, si dhe shembuj të praktikës së mirë në zbatimin e garancive të gjykimit të drejtë”, thuhet në dokument.
Ky raport paraqet gjetjet nga 7 vjet të monitorimit sistematik të procedurave të ndjekura në gjykimet për krime të luftës.
