Kuvendi duhet konstituuar deri më 7 gusht

0%

Nga: Rrezon Gashi Shpërndaje në: Një muaj e një ditë pas ditës së zgjedhjeve, KQZ-ja ka certifikuar rezultatet, me ç’rast ka përfunduar edhe procesi elektoral. Tash, shteti ka hyrë në një periudhë ku afatet për formimin e kuvendit, qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit janë të përcaktuara me kushtetutë ose të interpretuara me vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Ushtruesja e detyrës së Presidentit, Albulena Haxhiu, ka paralajmëruar që veprimet që i takojnë do t’i ndërmarrë brenda afateve të përcaktuara Deri më 7 gusht, deputetët e rinj kanë kohë për ta konstituuar legjislaturën e njëmbëdhjetë të Kuvendit. Detyrimi buron nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i publikuar më 25 qershor të 2025-s, kur pati ngërç në Kuvend.

Neni 66 i Kushtetutës përcakton që “Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve”. Certifikimi i rezultateve është bërë të mërkurën nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ndërkaq, bazuar në interpretimin e bërë nga Kushtetuesja, termi “mbajtja” e seancës konstituive nënkupton që ajo të përmbyllet. “Kërkesa nga paragrafi 1 i nenit 66 të Kushtetutës, që Kuvendi të mbajë Seancën Konstituive brenda tridhjetë (30) ditëve nuk do të thotë vetëm që deputetët e zgjedhur duhet të mblidhen fizikisht në sallë.

Kuptimi i kësaj norme duhet të jetë substancial dhe funksional, duke nënkuptuar që brenda këtij afati duhet të realizohen të gjitha veprimet kushtetuese që rezultojnë në konstituimin e Kuvendit”, thuhet në pikën 132 të aktgjykimit.

Sipas kësaj pike, kjo përfshijnë: verifikimin e mandateve të deputetëve të zgjedhur; dhënien e betimit nga ana e tyre; dhe zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhjen e Nënkryetarëve të Kuvendit.

Gjykata ka theksuar që pa përfundimin me sukses të këtyre veprimeve kushtetuese, Kuvendi nuk mund të konsiderohet juridikisht i konstituuar dhe, rrjedhimisht, nuk mund të ushtrojë asnjë nga funksionet që Kushtetuta i ka caktuar.

“Gjykata vlerëson që një Seancë Konstituive që mbahet, por nuk e zgjedh kryetarin/en dhe nënkryetarët e Kuvendit, nuk arrin efektin juridik që i ka përcaktuar Kushtetuta, dhe është seancë e papërfunduar dhe rrjedhimisht nuk përmbush kërkesën e paragrafit 1 të nenit 66 të Kushtetutës”, thuhet në Aktgjykim.

Nisjes së afatit 30-ditor i hapi rrugë certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit nga KQZ-ja, në mbledhjen e mbajtur të mërkurën. Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radnoniqi, tha se me shpalljen e rezultateve përfundimtare, që u bë para 11 ditëve, certifikimi i tyre ndryshon pasi dy kandidatë të Aleancës kanë hequr dorë nga mandati i fituar si deputet.

“Ndërsa te radhët e Aleancës kemi ndryshim në renditje ku në vend të Ardian Gjinit – zëvendësohet me Bekë Berishën kurse në vend të Daut Haradinajt kemi Burim Ramadanin”, ka thënë Radoniqi.

Bazuar në rezultatin zyrtar: Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 53 mandate, Partia Demokratike 22, Lidhja Demokratike 18 deputetë, Aleanca 7 dhe 20 ulëset e komuniteteve pakicë janë ndarë ndërmjet 11 partive të ndryshme. Të 120 deputetët e zgjedhur nga tash hyjnë në një periudhë ku afatet për formimin e institucioneve janë të përcaktuar me kushtetutë.

Nga e enjtja nis afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit. Mirëpo, para kësaj seance, njohësi i punës së legjislativit, Eugen Cakolli, thotë se duhet mbajtur një mbledhje mes përfaqësuesve të partive politike. “Albulena Haxhiu, në cilësinë e kryetares së legjislaturës paraprake, duhet ta thërrasë mbledhjen përgatitore me kryetarët e 15 subjekteve politike që kanë fituar ulëse në Kuvend.

Kjo mbledhje mbahet jo më vonë se pesë ditë para seancës konstituive dhe shërben për përgatitjen e rendit të ditës dhe caktimin e vendeve ku do të ulen deputetët në sallë, sipas subjekteve politike”, ka thënë Cakolli. E Haxhiu ka paralajmëruar që veprimet që i takojnë do t’i ndërmarrë brenda afateve të përcaktuara.

“Në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese, seanca konstituive e Kuvendit të Republikës do të thirret brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë, duke hapur rrugën për themelimin e institucioneve të reja të dala nga vullneti i qytetarëve”, ka thënë Haxhiu, e cila nga cilësia e kryeparlamentares është edhe ushtruese e detyrës së presidentes.

Sipas Cakollit, seancën konstituive, deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, do ta drejtojë deputeti më i vjetër, Avni Dehari nga LVV, i ndihmuar nga deputetja më e re, Fatma Taçi nga KDTP. Pikë e parë e rendit të ditës të seancës konstituive është formimi i Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe Mandateve.

Pas saj deputetët betohen, për t’i hapur rrugë zgjedhjes së kryesisë së kuvendit. Partisë më të madhe, Vetëvendosjes i takon e drejta për propozimin e kryekuvendarit, i cili zgjidhet me shumicë të thjeshtë. Bazuar në aktgjykimin e Kushtetueses, nëse kandidati nuk i merr votat pas tri tentimeve, duhet të propozohet kandidat tjetër.

Pas këtij hapi, duhet të zgjidhen nënkryetarët që një i takon LVV-së, PDK-së, një LDK-së, një Listës Serbe dhe një komuniteteve të tjera joshumicë. Kuvendi konsiderohet i konstituuar në momentin që zgjedh kryetarin dhe pesë nënkryetarët. Me themelimin e parlamentit i hapet rruga krijimit të qeverisë dhe zgjedhjes së presidentit.

Për të nisur afatet për formimin e ekzekutivit duhet së pari që presidenti të mandatojë kandidatin për kryeministër. Pastaj ai ose ajo ka kohë 15 ditë që të marrë besimin e deputetëve. E për çështjen e presidentit, që nga dita e konstituimit të kuvendit ligjvënësit kanë 60 ditë kohë për ta zgjedhur kreun e shtetit.

Konstituimi i kuvendit dhe zgjedhja e qeverisë nuk do të jenë problem për Vetëvendosjen, pasi ka fituar 53 mandate dhe nevojiten 61 vota që edhe sipas deklarimeve të zyrtarëve të saj i ka, duke llogaritur në votat e deputetëve të pakicave, pa përfshirë ata të Listës Serbe. E për presidentin duhen 80 vota, e që nënkupton se nevojitet edhe pjesëmarrja e PDK-së ose LDK-së.

Zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit ishin të tretat të përgjithshme të mbajtura brenda 1 viti e gjysmë, të cilat u desh të organizohen pasi deputetët e Legjislaturës së dhjetë dështuan të zgjedhin presidentin e ri, pas skadimit të mandatit pesëvjeçar të Vjosa Osmanit.

Burimi: Koha