Agjencia për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale ka kërkuar nisjen e hetimeve pas dëmtimit të objektit përcjellës në Kompleksin Memorial “Kulla e Zahir Pajazitit” në Orllan të Podujevës.
Përmes një njoftimi, Agjencia ka bërë të ditur se pas pranimit të raportit për dëmtimet, më ka dorëzuar kërkesë për inicimin e hetimeve në Policinë e Kosovës, përkatësisht në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prishtinë dhe në Stacionin Policor në Podujevë.
Sipas institucionit, dëmtimi apo cenimi i monumenteve dhe objekteve të mbrojtura kulturore, historike dhe fetare përbën vepër penale, bazuar në dispozitat e Kodit Penal të Kosovës.
Agjencia ka njoftuar gjithashtu se është duke u realizuar projekti për intervenime emergjente në komplekse memoriale, varreza të dëshmorëve dhe martirëve, ku përfshihet edhe Kompleksi Memorial “Kulla e Zahir Pajazitit” në Orllan.
Qëllimi i këtij projekti është ruajtja dhe përmirësimi i gjendjes së kompleksit, ndërsa në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse do të shqyrtohen mundësitë për sanimin e dëmtimeve të shkaktuara. Agjencia ka bërë të ditur se për zhvillimet e ardhshme do të informojë opinionin publik pas marrjes së raportit zyrtar nga organet e rendit dhe institucionet kompetente.
Dëmtohet Kompleksi Memorial “Zahir Pajaziti” në Orllan, Policia nis hetimet Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
