Camaj transferohet në Turqi: Dua sfida të reja

0%

Reprezentuesi malazez, shqiptari Driton Camaj, do ta vazhdojë karrierën në Turqi, pasi ka nënshkruar kontratë me Muglasporin, ka njoftuar klubi turk në faqen e tij zyrtare. Për mesfushorin e Malit të Zi kjo është një sfidë e re, pasi më herët ka luajtur në Kroaci, Novi Pazar, Hungari dhe Kazakistan.

Camaj i bashkohet Muglasporit, skuadër që garon në Ligën e Dytë të Turqisë, pas një gjysmësezoni të suksesshëm te klubi i futbollit Novi Pazari, ku në 17 ndeshje realizoi shtatë gola dhe dha tri asistime. “Jam i etur për sfida të reja dhe dua ta dëshmoj cilësinë time edhe në mjedisin e ri.

Falënderoj shumë klubin tim të ri, i cili i përmbushi të gjitha kërkesat e mia”, ka deklaruar Camaj për agjencinë “MINA”. Karrierën e nisi te Buduçnosti, ndërsa gjatë viteve ka luajtur edhe për Inter Zapreshiqin, Deçiqin, Llovçenin, Iskrën, Kishvardën, Keçkemetin, Astanën dhe Novi Pazarin.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Muglaspor sezonin e kaluar siguroi ngjitjen në Ligën e Dytë, pasi në finalen dramatike të “play-off”-it e mposhti Elazigsporin pas ekzekutimit të penalltive. Menaxheri i Camajt, Dejan Pekoviq, tha se pas paraqitjeve shumë të mira në gjashtë muajt e fundit te Novi Pazari kishte interesim të madh për futbollistin malazez.

Sipas tij, Turqia paraqet një treg të madh dhe një sfidë serioze për një lojtar me profil si Camaj. “Donim të shihnim se ku qëndronim në një treg të tillë. Muglaspor shfaqi interesim të madh dhe presidenti i klubit e dëshironte Camajn. Edhe vetë lojtari e pa veten pjesë të këtij projekti.

Ndeshjet me përfaqësuesen e Malit të Zi kundër Turqisë i kanë dhënë atij një dimension tjetër të popullaritetit dhe ndikimit që futbolli ka në Turqi”, deklaroi Pekoviq.

Burimi: Bota Sot